Dëshmi për zjarrin në Koçan: Piroteknikat në “Puls” u vendosën gjatë natës, shumë afër publikut
Në sallën gjyqësore në burgun “Idrizovë” sot vazhdoi gjykimi për zjarrin në të ashtuquajturin kabare “Puls” në Koçan. Seanca vazhdoi me dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë. Studentja Tea nga Shtipi tha se mjetet piroteknike në “Puls” ishin vendosur pasi ajo kishte mbërritur në objekt, pas orës një pas mesnate. Në hyrje, siç deklaroi ajo, kishte dy roje sigurie, ndërsa tavolina e tyre ishte vendosur para bendit, në afërsi të menjëhershme të skenës, transmeton Portalb.mk.
Në dëshminë e saj para gjykatës, ajo tha se gjatë mbrëmjes vendoseshin mjete piroteknike dhe se ajo i kishte thënë shoqes së saj se ndodheshin “shumë afër” mysafirëve.
Ndërsa po xhironte me telefonin mobil, vuri re se pas rreth një minute kishte nisur zjarri.
“Pamë shkëndija dhe që po digjej tavani. Nuk e kuptuam menjëherë seriozisht, por kur një anëtar i bendit bëri thirrje të dilnim, u drejtova nga dalja”, tha ajo.
Studentja përshkroi se kishte ndodhur një shtyrje e madhe në të cilën ajo mbeti e bllokuar mes derës hyrëse dhe asaj dalëse, filloi të kishte vështirësi në frymëmarrje dhe pas saj u dëgjua një shpërthim.
“Isha tashmë në pozitë të shtrirë, e pafuqishme. Kërkoja ndihmë. Pranë meje ishte shoku, të cilin e mbaja për dore”, tha ajo, duke shtuar se ishte nxjerrë nga një roje sigurie me emrin Stojanço.
Ajo tha se edhe në vizitat e mëparshme në “Puls” kishte raste kur përdorej piroteknikë, si dhe se kishte hyrë në lokal edhe kur ishte e mitur.
Në pyetjen e gjykatës nëse kur ishte e mitur dhe shkonte në “Puls” i kërkonin letërnjoftim në hyrje, ajo u përgjigj “po” dhe konfirmoi se në të kaluarën, sa herë që kishte qenë e pranishme, nuk kishte qenë kurrë dëshmitare e ndonjë bastisjeje policore.
Në fillim të gjykimit, prokurori tha se për kërkesën e të pandehurit kryesor për caktimin e masës së arrestit shtëpiak do të shprehet me shkrim ose në seancën e ardhshme.
Në seancën e kaluar, mbrojtja e të pandehurit kryesor, pronarit të “Puls”, Dejan Jovanov-Deko, kërkoi që paraburgimi t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak për shkak të përkeqësimit serioz dhe alarmues të gjendjes së tij shëndetësore.
Avokatja e Dekos, Ivana Kocevska, tha se gjykata është e informuar për gjendjen shëndetësore të të pandehurit dhe theksoi se klienti i saj ishte sjellë në gjykim me një plagë të hapur pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, drejtpërdrejt nga spitali.
Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të Jovanovit, të hënën në sallën e gjyqit në “Idrizovë” ishte thirrur ndihma e shpejtë.
Gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska, e cila drejton gjykimin, tha se pas ndërhyrjes së kryer, të pandehurit i ishte dhënë këshillë për të marrë ushqim dhe ujë, por kur këto i ishin ofruar, ai kishte refuzuar. Më pas, shtoi gjyqtarja, nga ndihma e shpejtë gjykata ishte informuar se pas ndërhyrjes, ai mund të vazhdojë të ndjekë seancën.
Zjarri në “Puls” shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Me seancën e sotme vazhdon procedura e provave me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, e cila përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Ndër ta janë pronari i “Puls”, persona të afërt të tij, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte kabarenë dhe pronari i saj.
Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan se nuk ndihen fajtorë dhe kundërshtuan tezën se ekziston lidhje shkak-pasojë midis veprimeve të tyre dhe shkaktimit të zjarrit fatal.