Saveski për tragjedinë e Koçanit: Nuk do të ketë rishikim të aktakuzës

Prokurori publik republikan Nenad Saveski deklaroi se nuk do të ketë rishikim të jashtëm të aktakuzës për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë mbetën të lënduar, transmeton Portalb.mk.

Në një intervistë për javoret Fokus, Saveski tha se pas marrjes së detyrës është takuar me prokurorët që punojnë në rastin e zjarrit në “Puls”, me të cilët ka diskutuar për provat dhe bazën e aktakuzës.

Ai theksoi se procedura gjyqësore është ende në zhvillim dhe se vetëm pas shqyrtimit të të gjitha provave do të mund të vlerësohet nëse kualifikimi juridik aktual është i qëndrueshëm për të gjithë të akuzuarit.

Sipas tij, prokurorët kanë të drejtë që në fund të procedurës ta precizojnë aktakuzën ose edhe ta ndryshojnë kualifikimin juridik, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse një gjë e tillë del nga provat e paraqitura gjatë gjykimit.

“Rishikim i jashtëm i aktakuzës nuk është i mundur”, deklaroi Saveski, duke iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes për revizion të aktakuzës në rastin e tragjedisë në Koçan.

Zjarri në “Puls” shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Me seancën e sotme vazhdon procedura e provave me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, e cila përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Ndër ta janë pronari i “Puls”, persona të afërt të tij, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte kabarenë dhe pronari i saj.

Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan se nuk ndihen fajtorë dhe kundërshtuan tezën se ekziston lidhje shkak-pasojë midis veprimeve të tyre dhe shkaktimit të zjarrit fatal.