KF Struga zyrtarisht kampion i Ligës së Parë për sezonin 2022/23 në Maqedoninë e Veriut

Ekipi strugan edhe në ndeshjen e fundit për sezonin 2022/23 ka arritur të fitojë kundër ekipit të Shkupit me rezultat 2-1, për të dëshmuar edhe një herë se është kampion me plot meritë, transmeton Portalb.mk.

“Struga Trim Lum sot edhe zyrtarisht festoi titullin e kampionit në elitën e futbollit të Maqedonisë. Edhe pse titulli u sigurua matematikisht që dy xhiro më parë, vetëm sot pas ndeshjes së xhiros së 33-të kundër FC Shkupit, pranuan trofeun e dedikuar për ekipin më të mirë të sezonit, të cilin e ndau numri një i futbollit në vend, Muhamed Sejdini”, raportuan nga ekipi kampion.

Në të njëjtën kohë fitoi edhe ekipi i Shkëndijës kundër Rabotniçkit, 1-2. Përkundër kësaj fitore, trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani dhe ekipi i Shkëndijës e kanë ndërpre bashkëpunimin.

Ndryshe, pas ekipit të Strugës që ka 68 pikë, në vendin e dyte u gjende Shkupi me 58 pikë, ndërsa Shkëndija me 57 pikë në pozitën e tretë. Këtyre tri ekipeve shqiptare vitin e ardhshëm do t’i bashkohen edhe dy ekipe tjera shqiptare, Voska Sport nga Ohri dhe Gostivari. Ky kampionat u zhvillua vetëm me 11 ekipe, pasi ekipi i Renovës u largua pak para se të fillon sezoni 2022/23.

Ndryshe, Struga do të garon edhe për Kupën e Maqedonisë së Veriut, pasi në finalen që do të zhvillohet në Shkup më 20 maj, do të përballet kundër Makedonija Gjorçe Petrovit.