Është zyrtarizuar akti i fundit formal që mbyll përfundimisht marrëdhënien mes Igor Tudor dhe Juventusit. Pas shkarkimit të tij më 27 tetor, i pasuar nga humbja në “Olimpico” ndaj Lazios, klubi bardhezi dhe trajneri kroat kanë gjetur një marrëveshje për ndërprerjen e parakohshme të kontratës, raporton Klan.
Një ndarje e shpejtë dhe pa konflikte, në përputhje me natyrën e një raporti intensiv, por kurrë të tensionuar. Edhe pse Tudor nuk kishte marrë oferta të rëndësishme nga klubet evropiane, ndërsa rregullorja ia ndalonte drejtimin e një skuadre tjetër në Serie A deri në fund të sezonit palët zgjodhën të mos e zvarrisnin situatën. Një faktor ndikues mbetet edhe “çështja Thiago Motta”, i cili kishte refuzuar disa oferta ndërkombëtare dhe vazhdon të figurojë në listën e pagave të klubit.
Nga ana financiare, ndërprerja e kontratës i jep Juventusit njëfarë lehtësimi. Tudor kishte një kontratë deri në qershor 2027 me vlerë rreth 3 milionë euro neto në sezon (afërsisht 5.5 milionë euro bruto). Këto burime pritet të përdoren për të mbështetur drejtimin e ri sportiv dhe për të hedhur themelet e rinovimit deri në vitin 2028 të Luciano Spallettit, njeriu i zgjedhur për rindërtimin e vërtetë të “Zonjës së Vjetër”.