Pas ankesave për defektet e shpeshta në Vizbeg, Ujësjellësi përmend mundësinë e rindërtimit të rrjetit, por pa afat

Pas ankesave të banorëve të Vizbegut për defektet e shpeshta në rrjetin e ujësjellësit në këtë zonë, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”-Shkup thotë se ekipet e saj rregullisht ndërhyjnë në terren. Nga ndërmarrja sqarojnë se defektet nuk janë në rrjetin kryesor, por në gypat me diametër më të vogël, të cilët, sipas tyre, nuk janë mirëmbajtur ndër vite. Për këtë problem, në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, paralajmërojnë gjetjen e zgjidhjes afatgjate por pa afate konkrete, shkruan Portalb.mk.

“Defektet e raportuara nuk kanë të bëjnë me rrjetin kryesor të ujësjellësit, përkatësisht me gypat me diametër më të madh, por bëhet fjalë për defekte në instalimet e ujësjellësit me gypa me diametër më të vogël, të cilat në masë të madhe janë pasojë e neglizhencës dhe mungesës së mirëmbajtjes ndër vite”, thonë nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”-Shkup për Portalb.mk.

Nga atje theksojnë se janë të njoftuar me problemet në këtë lagje dhe se ekipet e tyre ndërhyjnë rregullisht për sanimin e defekteve, me qëllim të funksionimit të pandërprerë të rrjetit.

Si zgjidhje afatgjate, paralajmërojnë rindërtimin e rrjetit të vjetër të ujësjellësit, në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit.

“NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”-Shkup, në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, në periudhën e ardhshme do të punojë për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për këtë problematikë me mundësi për sanimin dhe rindërtimin e rrjetit të vjetër dhe të amortizuar të ujësjellësit në këtë lagje”, thonë nga atje.

Ndërkohë, banorët e Vizbegut janë ankuar për problemet e vazhdueshme me gypat e ujësjellësit, ku rrjedhjet përsëriten edhe pas sanimit të defekteve. Ata thonë se gjatë ndërhyrjeve dhe gërmimeve për riparimin e gypave dëmtohen edhe më shumë rrugët, të cilat tashmë janë në gjendje të keqe.