Nervozizëm në opozitën serbe, Vuçiqi fyeu Çupiqin, Bërnabiqi reagoi ashpër

Ish-presidenti i Serbisë dhe lideri aktual i grupit parlamentar opozitar të Partisë Progresive Serbe (SNS), Aleksandar Vuçiq, u përfshi në një përplasje me kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit, Aleksandar Çupiq, transmeton Kolegium.mk.

Incidenti ndodhi gjatë debatit për zgjedhjen e gjashtë nënkryetarëve të Kuvendit, pas zgjedhjes paraprake të Çupiqit – kandidat nga “Lista e Studentëve” – në krye të Kuvendit Popullor të Serbisë.

Gjatë një fjalimi të gjatë, Vuçiqi kritikoi mënyrën se si Çupiqi po e drejtonte seancën, duke pretenduar se po e ndërpriste pa arsye dhe po ia kufizonte të drejtën për të folur.

“Ju as nuk jeni jurist; nuk keni as diplomë në shkenca politike. E qartë. Dhe nuk jeni as asket, edhe pse kështu ju kanë paraqitur”, i tha Vuçiqi kryetarit të ri të Kuvendit.

Më pas, Çupiqi i shqiptoi një vërejtje zyrtare, gjë që shkaktoi reagim të ashpër te deputetët e SNS-së. Disa prej tyre u ngritën nga vendet e tyre, ndërsa Ana Bërnabiq dhe Milenko Jovanov iu afruan kryesisë së Kuvendit dhe nisën të debatonin me Çupiqin.

Të dyve iu shqiptuan vërejtje zyrtare, pasi iu afruan kryetarit të Kuvendit pa u thirrur. Bërnabiq, e cila reagoi veçanërisht ashpër, kërkoi nga ai që ta përjashtonte nga seanca.

Vuçiqi më pas pyeti nëse edhe Bërnabiqit dhe Jovanovit u ishin shqiptuar vërejtje zyrtare. Pasi mori konfirmimin, ai i ftoi përfaqësuesit e partisë së tij të mblidheshin rreth tij, pas së cilës Çupiqi caktoi një pauzë prej dhjetë minutash.

Më vonë, Çupiqi deklaroi se do t’i tërhiqte vërejtjet e shqiptuara ndaj Bërnabiqit dhe Jovanovit, nëse vërtetohet se ata i ishin afruar gjatë një pauze që tashmë ishte paraparë.

Duke iu drejtuar gazetarëve, Bërnabiq e akuzoi udhëheqësinë e re të Kuvendit për mbytje të lirisë së shprehjes, duke theksuar se përfaqësuesit e SNS-së kishin marrë tashmë shtatë vërejtje gjatë pjesës së parë të seancës.

“Në këtë sallë nuk ka më liri të shprehjes – ekziston vetëm diktatura e ‘Listës së Studentëve'”, deklaroi Bërnabiq.

Ajo e quajti Çupiqin “diktator suprem” dhe pretendoi se shumica e re parlamentare po përpiqet ta heshtë opozitën përmes shqiptimit të vërejtjeve zyrtare.

Bërnabiq kujtoi incidentet nga koha kur ajo vetë drejtonte Kuvendin, duke pretenduar se nuk i ndëshkonte deputetët e opozitës as kur hidhnin sende, spërkatnin ujë apo përdornin bomba tymuese.