Jehona e protestës për jurisprudencën arriti edhe në Kuvend: Akuza politike midis Rina Ajdarit dhe Bekim Salit (Video)

Protesta e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, sot u bë temë debati dhe përplasjesh politike midis deputetes së BDI-së Rina Ajdarit dhe zëvendëskryeministrit Bekim Sali nga VLEN, raporton Portalb.mk.

Deputetja Rina Ajdari duke iu drejtuar zëvendëskryeministrit nga foltorja tha se studentët në protestë e kërkuan atë, si një nga shqiptarët i cili momentalisht bart pozitën më të lartë në pushtet.

“Ajo që pamë atë ditë nuk ishte një protestë e zakonshme, ishin studentë të rinj që kërkonin diçka shumë të thjeshtë, të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre amtare. Kjo është ajo që e bën këtë situatë tejmase të rënduar, sepse nuk po flasim për mungesë ligji, ligji ekziston dhe është i qartë, a jeni të vetëdijshëm se ka Ligj për gjuhën shqipe, ka Inspektorat për zbatimin e gjuhëve, ka Agjenci pë gjuhën, ne i bëmë të gjitha këto, juve u ka ngelur vetëm t’i zbatoni, tha Ajdari.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bekim Sali tha se i ka pranuar studentët dhe se do ta zgjidhin problemin, por pa dhënë afat konkret.

“Shqetësimi i tyre është dëgjuar, në mënyrë institucionale jemi përgjigjur dhe kemi marrë masat e duhura për ta zgjidhur atë problem dhe ai problem do të zgjidhet, studentët shqiptarë do ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Derisa ju shprehni shqetësimin dhe njëkohësisht protestoni, kjo i bie se protestoni kundër asaj që ju e keni vepruar 22 vite, kundër vetvetes, t’i bashkëngjitkeni sot studentëve derisa dje nuk kishi aspak vesh për studentët kjo është injorancë totale”, tha Sali.

Mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë para dy ditëve protestuan në Shkup duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që të mund ta japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. Ata kërkuan drejtësi për studentët dhe dorëheqje të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov i cili ua mohon të drejtën e garantuar me ligj. Përmes një reagimi pas protestës, Ministria e Drejtësisë vazhdoi të insistojë se provimi nuk mund të jepet në gjuhën shqipe.

Pas protestës, kryeministri Hristijan Mickoski tha se qeveria po punon për zgjidhje ligjore, ndërkaq tha se protesta pati konotcion politik dhe përpjekje për destabilizim. Për këtë, reagoi Bujar Osmani nga BDI duke thënë se ka informuar ndërkombëtarët se qeveria tenton të shtrembërojë protestën.

Kronologjia e ngjarjes

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Por kjo kërkesë deri tani ka hasur në vesh të shurdhër.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.

Në ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues.

Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por ka parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi.

Edhe Avokati i Popullit përmes lëndës që e hapi për këtë çështje, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.

Ministria e Drejtësisë i tha Portalbit se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.

Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse pati deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.

Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Kujtojmë se Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.