Java e artit skenik: ‘SkupiFestival’ pritet ta shndërrojë Shkupin në tempull të teatrit
Nga data 29 shtator deri më 4 tetor, me fillim nga ora 20:00, në Teatrin Shqiptar në Shkup, fillon edicioni 19-të i Festivalit “SkupiFestival 2025”. Nata e parë e këtij festivali do të nis më shfaqjen “Martesa” nga Teatri kombëtar i Kosovës, shfaqje kjo me autor Vitold Gombroviç e regji të Norbert Rakovski, për të përfunduar ky edicion me paraqitjen e trupës nga Shqipëria të cilët do të prezantojnë shfaqjen “Gjysmë-jeta e Marie Curie”, shkruan Portalb.mk.
Osman Ahmeti drejtor artistik i festivalit “Skupifestival”, për Portalb.mk tha se “Shkupiferstival” dëshiron të përcjell mesazhin për bashkpunim ndërkulturorë, lëvizjeve të reja teatrore, duke shtuar se edicioni i sivjetshëm ka një përzgjedhje nga antikiteti, pjesë klasike teatrore, por në një trajtim bashkohorë.
“Por siç çdo tjetër festival teatrorë që do të përçojë besoj, edhe “Skupifestival” gjithmonë por edhe me këtë edicion dëshiron të përcjell mesazhin për bashkëpunim ndërkulturorë, shkëmbim përvojash, prurje dhe promovim të vlerave të ndryshme teatrore, estetikave si dhe lëvizjeve të reja teatrore. Kjo sa i takon aspektit artistik e kulturorë, por besoj se festivalet kanë edhe një detyrim tjetër, që të përçojnë edhe një mesazh humaniteti, sidomos tani kur bota ndodhet para një përplasje të madhe si dhe para një sfide të madhe morale dhe njerëzore. Çdo edicion dallon nga edicionet e tjera, edicioni i sivjetshëm ka një përzgjedhje nga antikiteti, pjesë klasike teatrore, por në një trajtim bashkohorë, gjithashtu edhe pjesë që kanë për bazë edhe elemente eksperimentale. Normalisht ne shpeshherë jemi edhe të kufizuar në përzgjedhje edhe nga aspekti financiarë, por ja arrijmë të sjellim në çdo edicion më të mirën e mundshme”, tha Osmani.
Ai më tej shtoi se edicioni i sivjetshëm ka pjesë nga kryeveprat dramës botërore, si dhe nga aspekti regjisorial ka emra të një nivelit botërorë. Ata gjithashtu kanë përgatitur program të larmishëm për gjithë artdashësit.
“Pjesa më e madhe e këtij edicioni është bërë pothuajse gati një vit më parë, për shkak të mënyrës dhe kushteve që kërkonte më herët konkursi i ministrisë së kulturës, një pjesë e vogël është përzgjedhë më vonë. Normalisht ne nuk e kemi luksin e as komoditetin financiar për tu lëshuar një program më të madh por edhe më të kushtueshëm. Por edicioni i sivjetshëm ka pjesë nga kryeveprat dramës botërore, si dhe nga aspekti regjisorial ka emra të një nivelit botërorë. Po zakonisht surpriza e një festivali do të duhet të jetë programi i përzgjedhur. Edhe këtë vit kemi një program të larmishëm me pjesë teatrore siç është shfaqja Martesa nga Teatri kombëtar i Kosovës, me autorë Vitold Gombroviç regjia Norbert Rakovski, pastaj teatri kombëtar “Ivan Vazov”, Sofje me pjesën Medea të Euripidit në regji të Deklan Donellan, një emër i njohur botërorë i teatrit”, tha Osmani.
Ai deklaroi se festivalet e tilla ndihmojnë në promovimin e teatrit shqiptar dhe ballkanik në arenën ndërkombëtare.
“Po sigurisht festivalet në vetvete kanë qëllim që t’i bëj bashkë artistët nga vende të ndryshme. Skupifestival në këto dy dekada ka qenë shkaktar që kanë ndodhur bashkëpunime të ndryshme teatrore, si këtu me tetarin e shqiptar në Maqedoni, por edhe me teatrorë të tjerë si dhe festivale të ndryshme, duke qenë një urë lidhëse. Festivalet si zakonisht kanë si mision të sjellin dhe të shkëmbejnë por edhe promovojnë lëvizje, vlera teatrore dhe estetika të reja nga aspekti kulturorë. Skupifestival më shumë është i përqendruar dhe ka për qëllim t’i ofrojë një program me shfaqje teatrore të selektuara, zakonisht duke ju përmbajtur një teme. Zakonisht në masë të madhe kanë qenë prodhime teatrore nga rajoni por edhe më gjerë, që në një farë mënyre publiku jonë i ka mirëpritur në masë të madhe”, tha Osmani.
Ai potencoi se bëjnë përpjekje që të jenë një pikë kulturore e Shkupit por edhe më gjerë.
“Ne çdo vit për çdo edicion, sigurisht në bazë të mundësive tona, bëjmë përpjekje që të jemi një pikë kulturore e Shkupit por edhe më gjerë, me programin kulturore dhe me aktivitetin që lidhet me organizimin dhe informimin për aktivitetin e Skupifestivalit. Besoj se në qoftë se arrijmë të kemi vëmendjen e një pjese të konsiderueshme të artdashësve, ose nëse Skupifestival është piktakimi ku nxit shkëndija për një një bashkëpunim të ardhshëm mes dy apo më shumë teatrove apo organizatave të ndryshme kulturore mund të themi se ja kemi arritur qëllimit”, tha Osmani.
Ky festival mbështetet nga Ministria e Kulturës së RMV-së, T- mobile etj.
Në vijim, Programi i Skupifestivalit 2025:
29.09.2025, Е Hënë 20:00h
- “Martesa”- Teatri kombëtar i Kosovës, Prishtinë-Kosovë, nën regji të Norbert Rakovski
30.09.2025, E Martë 20:00h
- “Кështjella”-AteliercuncheoN, Bergamo, Itali, nën regji të Andrea Benalljo
01.10.2025, E Mërkurë 19:00h
- “Gruaja e Makbethit dhe unë 2.0”– Teatri Global, Ljubljana, Slloveni, nën regji të Nik Uper
01.10.2025, E Mërkurë 20:30h
- “Tërbim për dy persona ose më shumë”-Teatri Hera, Stamboll, Turqi, nën regji të Senem Xhevher
02.10.2025, E Enjte 20:00h
- “Don Zhuan”-Teatri kombëtar Nish, Serbi, nën regji të Vasil Vasilev
03.10.2025, E Premte 19.00h
- “X- Yalta Art Room”, Sofje, Bullgari, autor Omar Kajam dhe Bojan Kraçollov, nën regji të Bojan Kraçollov
03.10.2025, E Premte 20:30h
- “Medea”- Teatri kombëtar “Ivan Vazov”, Sofje, Bullgari, autor Euripidi, regjia Deklan Donellan
04.10.2025, E Shtunë 20:00h
- “Gjysmë-jeta e Marie Curie”-Teatri Metropol, Tiranë, Shqipëri, autor Lauren Gunderson, nën regji të Armela Demaj