Dashuria, kufijtë, frika, kujtesa historike dhe vendi i letërsisë në botën e sotme ishin temat për të cilat folën shkrimtarë nga rajoni në hapjen e edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë „PRO-ZA Balkan“, mbrëmë në Muzeun e Qytetit të Shkupit. Në hapje u prezantuan shtatë shkrimtarë nga rajoni dhe më gjerë, transmeton Portalb.mk.
Mysafirët i përshëndeti Dejan Trajkoski, themelues i festivalit, ndërsa bisedat me shkrimtarët u drejtuan nga Aleksandar Prokopiev dhe Ermis Lafazanovski.
Programi i sivjetshëm i festivalit përfshin autorë, veprat e të cilëve janë përkthyer në shumë gjuhë, por që janë edhe thellësisht të rrënjosur në kulturat e tyre – shkrimtarja shqiptare Diana Çuli, shkrimtari dhe skenaristi bullgar Nikolaj Terzijski, romancierja sllovene Gabriela Babnik Uatara, autori dhe producenti britanik i filmit Majk Dauni, shkrimtarja serbe Hristina Radoviq Andriq, si dhe shkrimtari vendas Bllazhe Minevski.
Shkrimtarja shqiptare Diana Çuli foli për dy romanet e saj, të cilat burojnë nga ngjarje të vërteta. Romani i saj i parë është shkruar bazuar në një ngjarje të vërtetë nga e kaluara – një histori dashurie mes dy partizanëve, për të cilën është folur shumë në Shqipëri.
“Falënderoj organizatorët që na mundësuan të takohemi në një festival kaq të rëndësishëm. Para rënies së Murit të Berlinit nuk e njihnim njëri-tjetrin, por më pas u njohëm më mirë dhe kjo është tema e romanit tim të dytë. Përmes një vrasjeje që kërkohet në të gjithë Ballkanin tonë, desha të tregoj se sa pak gjëra na ndajnë dhe sa mirë kuptohemi dhe duam kur ulemi të gjithë bashkë, pa na penguar ndikimet e tjera politike“, tha Çuli.
Shkrimtarja nga Shqipëria, e cila përkthen nga gjuhët italiane dhe frënge, theksoi se ky ndikim shihet edhe në stilin e saj.
Shkrimtari dhe skenaristi bullgar Nikolaj Terzijski, romani i tretë i të cilit „Yje nën qepalla“ u përkthye në gjuhën maqedonase në vitin 2025 nga shtëpia botuese „Tri“, shprehu mirënjohjen që për herë të dytë ndodhet në Shkup falë librave dhe krijimtarisë së tij.
„Yjet nën qepalla“ filloi me një moment të vështirë për mua, kur humba babanë. Vendosa të rrëfej historinë e dashurisë së nënës dhe babait tim. Por, kur fillova të shkruaj, më lindi ideja të zhvilloj tri histori të ndryshme dashurie dhe i vendosa në vitet 1940, 1980 dhe 2020. Dhe secila histori e mëparshme e krijon atë pasuese. Kur mbyllim sytë, nën qepalla shohim botë, të gjithë ne krijojmë botë përmes krijimtarisë. Cila është bota e vërtetë – këtë pyetje ua shtroj lexuesve“, tha Terzijski.
Ai foli edhe për origjinën e emrit të tij të autorit për blogun që e drejton që nga viti 2014.
“Kur fillova të shkruaj, krijova një faqe në internet që quhej ‘Terzilaci’. Është një asociacion me qepjen, por në vete përmban edhe diçka nga ‘terzajenje’ – diçka që të mundon nga brenda dhe duhet ta tregosh, përndryshe nuk mund të jetosh. Edhe unë kështu ndihem“, tha ai.
Për fituesin e çmimit „Prozart“ për vitin 2026, shkrimtarin serb Dragan Velikiq, foli prof. dr. Aleksandar Prokopiev, koleg i Velikiqit nga ditët e studimeve. Ai theksoi se që nga libri i parë i Velikiqit ishte e qartë se bëhej fjalë për një botë autentike letrare dhe kujtoi se të dy, si studentë, admironin shkrimtarin Danilo Kish.
Ai foli për procesin e tij të shkrimit, duke treguar për rigorozitetin ndaj vetes dhe ritmin e ngadaltë me të cilin krijon.
“E kam të vështirë të them se si e gjej frymëzimin. Shkruaj ngadalë – për dy vjet shkruaj 50 faqe. Nuk lejoj banalitet. I gjithë pallati shembet, ndërsa unë jam i rreptë me veten dhe mendoj se çdo libër timin duhet ta lexoj të paktën 100 herë. Përkthimi është redaktimi i fundit“, tha ai.
Romancierja sllovene Gabriela Babnik Uatara foli për romanin e saj „Epoka e thatë“, të përkthyer në rreth 20 gjuhë, mes tyre edhe në gjuhët e Malit dhe Burkina Fasos, vende me një traditë letrare pesëqindvjeçare.
“Është roman dashurie, por është edhe antiracist. Duke lexuar romanin, shumë njerëz do të pyesin veten pse shkruaj për kulturën afrikane“, tha Babnik Uatara.
Autori britaniko-irlandez i filmit, producenti dhe shkrimtari Majk Dauni, autor i romanit „E zeza e Istrias“ – pjesa e dytë e trilogjisë „Tri ngjyrat e Istrias“, pas bestsellerit botëror „Ari i Istrias“ – foli për temën e veprës së tij të re.
“Është roman me mjaft implikime politike. Tema e trilogjisë është urrejtja. Vij nga një familje antifashiste dhe, duke pasur parasysh se fashizmi është shumë në rritje, kjo ishte shtysa ime. Dhe tani dua të përdor humorin dhe t’u jap dinjitet“, tha Dauni, i cili njihet si producent i lidhur me kinematografinë vendase përmes filmave „Para shiut“ dhe „Karaula“, si dhe me shumë bashkëprodhime të tjera me minoritete, mes tyre edhe „Kushtetuta e Republikës së Kroacisë“, i cili do të shfaqet të mërkurën (16 shtator) në Kinotekë.
Ai e përmbylli me një mesazh shprese:
“Ajo që po ndodh sot në Irlandë më jep shpresë për njerëzimin – se është e mundur që armiqtë e mëdhenj nga jugu dhe veriu të pajtohen. Është e mundur që bota të ndryshojë në një të ardhme të afërt, nëse nuk digjemi nga ngrohja globale.“
Shkrimtari Bllazhe Minevski foli për romanin e tij kushtuar dashurisë së Goce Dellçevit, duke zbuluar se ideja kishte marrë formë gjatë dy dekadave.
“E kam hulumtuar dashurinë e Goce Dellçevit si gazetar dhe mendoja se mund të bëhej prozë, të rrëfehej përmes ndjenjave… Ai i kishte lënë porosi Jankës që të martohej me mikun e tij, vetëm nëse lindnin ndonjë ndjenjë. Dhe nga një histori, libri u shndërrua në një tregim për ndjenjat. Historianët nuk merren me ndjenjat, ndaj të mos kërkojnë fakte historike në romanin tim“, tha Minevski.
Ai foli edhe për pozitën e letërsive në gjuhë të vogla në hapësirën ndërkombëtare letrare, duke theksuar se zakonisht shtëpitë e vogla botuese i botojnë autorët vendas jashtë vendit.
Shkrimtarja Hristina Radoviq Andriq foli për romanin e saj të parë “Arjaçkinje barjaçkinje, kë do të zgjidhni?“, i cili u botua vitin e kaluar.
“Libri është shumë intim dhe nuk është shkruar me një qëllim të paracaktuar, sepse nuk e kisha synim të shkruaja një libër për gratë apo për marrëdhënien me nënën time. Libri është për jetën dhe marrëdhëniet në familjen time, për burra dhe gra arketipale – burri është ai që përmes veprimit bëhet hero, ndërsa gruaja dhe vlera e saj paraqiten përmes pasivitetit, me idenë se gruaja duhet të durojë. Libri lindi nga një nevojë e imja për ta artikuluar dhimbjen që vazhdimisht e lija mënjanë. Sikur të kisha frikë t’i vajtoja paraardhësit e mi. Desha të tregoja se sa shumë vdekje mund të ndodhë në jetën e një gruaje“, tha ajo.
Sot në programin e festivalit janë paraparë disa ngjarje. Në mëngjes është paraparë takim i fëmijëve me shkrimtaren Zinovia Vasilejadi. Në orën 13:30 pjesëmarrësit e programit „Skopje Fellowship“ do të takohen me përfaqësues të Asociacionit Maqedonas të Botuesve në Europe House, ndërsa në mbrëmje, në orën 20:00, në të njëjtin lokacion do të mbahet tryezë e rrumbullakët me temën „E ardhmja që nuk dimë ta imagjinojmë“. Në të do të marrin pjesë shkrimtarët mysafirë, ndërsa moderator do të jetë Vladimir Jankovski.
Hyrja në aktivitetet e mbrëmjes është falas. Aktivitetet gjatë ditës janë të destinuara për profesionistët e fushës së botimeve.
Organizator i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë „PRO-ZA Balkan“ është shtëpia botuese „Prozart Media“ nga Shkupi.
Mbështetës të „PRO-ZA Balkan“ janë Ministria e Kulturës dhe Turizmit, „Traduki“, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Europe House, Ambasada e Greqisë, Qendra Kulturore-Informative e Bullgarisë në Shkup, Ambasada e Sllovenisë, Kinoteka, Muzeu i Qytetit të Shkupit dhe Umno.mk.