Deponia në Nikushtak nuk ka kamera as ‘me kabllo’ e as ‘pa kabllo’, ndryshe nga ajo që tha ministri Izet Mexhiti (VIDEO)

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, më 15 shtator deklaroi se kamerat “pa kabllo” janë vendosur në deponinë në Nikushtak, pas pyetjes së Portalb.mk. Por, realiteti tregon të kundërtën, atje nuk ekziston asnjë kamerë. Ndryshe nga ç’premtoi ai, kjo deponi, edhe pse u mbyll para disa ditësh, vazhdon të mbetet e pamonitoruar për të parandaluar hedhjen e sërishme të mbeturinave.

Edhe pse ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, tha se në deponinë e Nikushtakut janë vendosur kamera, për të monitoruar hedhjen e sërishme të mbeturinave, Portalb.mk e vizitoi deponinë dy ditë pas deklaratës së tij (17 shtator) dhe konstatoi se në terren nuk ka asnjë kamerë të vendosur, as me kabllo e as pa kabllo.

Deklarata e ministrit Izet Mexhiti e dhënë para mediave rezulton të jetë e pavërtetë, kjo deponi vazhdon të mos jetë nën kontroll vizual, jo ashtu siç kishte premtuar ai që me me 6 shtator kur tha se “do të vendosim kamera, do e dënojmë ndërmarrjen publike të komunës së Likovës”.

Pas kësaj deklarate, Portalb.mk me 15 shtator e pyeti ministrin Mexhiti, se kur do të vendosen kamerat në deponinë e Nikushtakut. 

“Janë vendosur kamerat, por për shkak se janë kamera të cilat nuk janë me kabllo funksionojnë ndryshe dhe janë duke i vëndosur në funksion”, tha Mexhiti. 

Po atë ditë, në një bisedë me Portalb.mk, prapa kamerave, nga kabineti i ministrit u arsyetuan se kamerat janë vendosur dhe testuar për funksion, por janë hequr përsëri për t’u dekoduar, pasi janë sjellë nga Greqia. 

Gjithashtu, ata shtuan se deri 16 shtator, do t’i vendosin përsëri, dhe se do të dërgojnë fotografi për t’i treguar redaksisë se realisht janë vendosur kamerat.  

Më pas, Portalb.mk vazhdimisht e kontaktoi Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor përmes thirrjeve dhe mesazheve sms duke i pyetur nëse janë vendosur kamerat në deponinë në Nikushtak, por edhe për dënimin e “Pishës”, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje. Andaj dhe vizituam deponinë për të vërtetuar para opinionit se kamera nuk ka.

Pyetëm edhe Komunën e Likovës nëse kamerat janë vendosur në këtë deponi si dhe nëse është dënuar “Pisha”, por as nga atje nuk morëm përgjigje. 

Përndryshe, me 15 shtator, minsitria kumtoi se deponia në Nikushtak është mbyllur zyrtarisht sepse nuk i plotëson standardet për mbeturina. Ky vendim erdhi pas protestave të banorëve, të cilët kundërshtuan hedhjen e mbeturinave nga Ndërmarja Komunale Publike “Pisha”. Pas vendimit, reagoi Komuna e Likovës duke e quajtur atë vendim si joligjor.

Kujtojmë se për më shumë se dy dekada banorët e fshatrave së Komunës së Likovës kanë problem me këtë deponi. Premtime të shumta u bënë nga autoritetet lokale dhe qendrore por situata mbetej e njëjtë.