Parlamenti Evropian kritikoi ashpër Serbinë për Mlladiqin

Komisionarja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, përsëriti qëndrimin se pamjet nga varrimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Bosnje e Hercegovinë, ishin tejet shqetësuese, raporton Radio Evropae Lirë.

Gjatë një debati të jashtëzakonshëm në Parlamentin Evropian, ajo përmendi veçanërisht pjesëmarrjen në varrim të ministrave të Qeverisë së Serbisë, si dhe të politikanëve nga Republika Sërpska, të cilët, sipas saj, “i bënë nderime një krimineli lufte”.

“Të jesh mik i Serbisë do të thotë të jesh i sinqertë me Serbinë. Mund të mos pajtohemi për politikën. Mund të zhvillojmë biseda të vështira për reformat dhe rrugën evropiane të Serbisë. Por, nuk mund të negociojmë për dinjitetin e viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës”, tha Kos gjatë debatit të jashtëzakonshëm në PE kushtuar varrimit të Ratko Mlladiqit dhe madhërimit të kriminelëve të luftës.

“Evropa nuk do t’i kërkojë kurrë Serbisë të heqë dorë nga identiteti apo historia e saj. Por, Evropa do të kërkojë nga Serbia që të përballet sinqerisht me historinë e saj, përfshirë edhe kapitujt e saj më të errët”, shtoi zyrtarja e lartë evropiane.

Në emër të Komisionit Evropian, Kos u bëri thirrje autoriteteve serbe, si dhe të gjithë aktorëve në rajon, që të kontribuojnë në pajtim dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Ajo bëri thirrje në veçanti që e kaluara të mos përdoret më si pengesë për të ardhmen.

Megjithatë, gjatë debatit, Kos tha se pamjet nga Beogradi në ditën e varrimit të Ratko Mlladiqit nuk e përfaqësojnë shoqërinë serbe në tërësi. Ajo tha se kishte marrë letra nga qytetarë të Serbisë që e kishin kundërshtuar madhërimin e kriminelëve të luftës.

“Një Serbi e tillë meriton të dëgjohet, një Serbi e tillë meriton mbështetje dhe një Serbi e tillë e ka vendin e saj në Evropë”, tha Kos, duke shprehur gatishmërinë e Komisionit Evropian për ta ndihmuar Serbinë në rrugën e saj evropiane.

Gjatë debatit, Ivo Davor Shtir, deputet i Partisë Popullore Evropiane (EPP), grupimit më të madh politik në PE, ku Partia Përparimtare Serbe është anëtare e asociuar, tha se u takon qytetarëve të Serbisë të vendosin se çfarë vendi duan, por se pala evropiane duhet të vendosë se si do të sillet ndaj kësaj.

“Nuk kemi iluzione se do të zgjohet ndërgjegjja e atyre që edhe në vitet ’90 ishin pasivë, por pikërisht për këtë ne në Parlament duhet të jemi edhe më të zëshëm dhe të themi se politika e deritanishme e BE-së ka qenë e vakët dhe joefektive. Duhet të dërgojmë një mesazh të qartë dhe të vendosim se nuk ka vend në familjen evropiane për ata që madhërojnë Ratko Mlladiqin, dhe nuk duhet të ketë as para evropiane për ata që nuk duan të distancohen nga politika e Sllobodan Millosheviqit”, tha ai.

Duke vlerësuar se qytetarët serbë kanë të drejtë në perspektivën evropiane dhe se askush nuk dëshiron që kjo perspektivë të “varroset për shkak të Mlladiqit”, deputeti i EPP-së tha se ishte gabim i madh t’u mbyllej një sy atyre që e nderojnë Mlladiqin.

“Viktimat e tij e kanë merituar solidaritetin tonë, por edhe që BE-ja të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm”, theksoi Shtir.

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, deputeti Tonino Picula, tha se pjesëmarrja në ceremoninë e varrimit të një krimineli lufte nuk flet vetëm për qëndrimin krejtësisht të papranueshëm ndaj të kaluarës së afërt dhe tragjike, por edhe për drejtimin në të cilin pushteti po e orienton sot Serbinë.

“[Presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiqi e përcolli një kriminel lufte me nderime shtetërore, ndërsa me një tjetër, [i dënuari nga Tribunali i Hagës, Vojsllav] Sheshelin, u dakordua për një koalicion parazgjedhor. Ne në Bashkimin Evropian luftojmë vazhdimisht kundër lajmeve të rreme dhe dezinformimit, por duhet të luftojmë edhe kundër revizionizmit historik dhe relativizimit të krimeve”, tha Picula.

“Nëse tashmë pushteti serb endet pa një drejtim të qartë, Bashkimi Evropian duhet të ketë qëndrim të qartë me një pushtet të tillë. Nuk duhet të izolohet nga faktet që qartësisht tregojnë se Serbia e Vuçiqit nuk e ka vendin në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Picula gjithashtu ngriti, siç tha, pyetjen e arsyeshme nëse Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë fare negociatat me Serbinë përderisa ajo ka një pushtet të tillë.

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërspka, Ratko Mlladiq, të cilin Tribunali i Hagës e dënoi për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje e Hercegovinë, u varros më 7 shtator në Beograd me nderime ushtarake dhe shtetërore. Mlladiqi vdiq në Hagë më 27 gusht, gjatë vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm, dhe u varros në varrezat Topçider të Beogradit.

Përkujtimin, shërbesën fetare dhe varrimin në Beograd i shoqëruan paralajmërime nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për papranueshmërinë e madhërimit të kriminelëve të dënuar të luftës. Ai u varros me të nderime dhe fjalime lamtumire nga familjarët dhe ish-bashkëpunëtorët, në të cilat u madhërua e kaluara e tij e luftës.

Në prani të udhëheqjes politike të Republikës Sërpska dhe zyrtarëve të Serbisë, klerit të Kishës Ortodokse Serbe dhe pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, mijëra pjesëmarrës brohoritën emrin e Mlladiqit, duke e përcjellë arkivolin me duartrokitje dhe këngë.

Pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë në varrim e dënoi udhëheqja më e lartë e BE-së, duke shprehur tronditje nga pamjet e Beogradit në ditën e varrimit.