Vetëm 3 nga 31 premtime qeveritare në shëndetësinë e RMV-së janë zbatuar, shteti nuk mendon aspak për të rinjtë
Rinia përballet me zbatim të pamjaftueshëm të premtimeve konkrete siç janë: kuponët prej 250 eurosh, aplikacioni rinor dhe projekti “Blej Shtëpi për të Rinjtë”. Shëndetësia ka progres të kufizuar, me sfida në qasjen në shërbime, mungesë të personelit dhe kosto të larta për qytetarët. Arsimi shënon progresin më të madh, por mbeten pas premtimet për arsimin e lartë dhe zbatimin e konceptit STEM. Nuk janë përmbushur premtime kyçe si ulja e deficitit buxhetor, lufta kundër ekonomisë informale dhe rritja e produktivitetit. Kështu thuhet në raportin e platformës KOMPAS, në bashkëpunim me Finance Think dhe organizata partnere, transmeton Portalb.mk.
Nga totali i premtimeve, 18 (13%) janë zbatuar plotësisht deri më tani, ndërsa 51 premtime (37%) janë në rrugën e duhur për t’u përmbushur. Progresi më i madh është arritur në fushën e arsimit, ku 24% e premtimeve janë përmbushur dhe 70% janë në vazhdim. Pas saj vijnë politikat socio-ekonomike dhe politikat rinore, me nga 9% të premtimeve të përmbushura secila. Zbatimi në kujdesin shëndetësor ka një ritëm më të moderuar, me tre premtime të përmbushura dhe 5 në proces përmbushjeje.
Politikat socio-ekonomike: Progres i pjesshëm, por me rreziqe të mundshme
Nga 43 premtimet e hartuara, 4 janë përmbushur dhe 12 janë në proces përmbushjeje. Premtimet e përmbushura përfshijnë: normat e pandryshuara të taksave mbi të ardhurat personale dhe fitimin, mostaksimin e fitimeve të riinvestuara dhe rritje të pensioneve me 5,000 denarë. Sa i përket përmbushjes, pjesa më e madhe është në fushën e financave të qëndrueshme që kontribuojnë në stabilitetin makroekonomik, siç janë rritja e PBB-së, kontrolli i inflacionit, ulja e borxhit publik dhe papunësisë, rritja e investimeve dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
“Sa i përket përmbushjes, megjithëse numri i premtimeve të përmbushura plotësisht është relativisht i vogël, masat që janë në drejtim të përmbushjes janë të kënaqshme. Një shkak më i madh për shqetësim janë premtimet përmbushja e të cilave po lëviz në drejtim të kundërt, veçanërisht pasi ato përfaqësojnë reforma kyçe strukturore. Këto janë premtimet që lidhen me uljen e deficitit buxhetor nën 3% të PBB-së, uljen e ekonomisë informale, rritjen e produktivitetit, mbështetjen e eksporteve dhe rritjen e moderuar të pagave në sektorin publik”, thuhet në raport.
Një sfidë shtesë është përafrimi i prioriteteve qeveritare me nevojat dhe pritjet reale të qytetarëve.
“Sipas anketës së fundit “Cili është çelësi për përmirësimin e cilësisë së jetës?”, qytetarët identifikojnë se shërbimet për kujdesin e të moshuarve dhe fëmijëve (azilet e pleqve dhe kopshtet) vlerësohen si të pamjaftueshme dhe shpesh të shtrenjta. Ndërsa cilësia e infrastrukturës rrugore dhe transportit publik vlerësohen si me cilësinë më të keqe. Në të njëjtën kohë, premtimet për krijimin e vendeve të reja të punës, investimet kapitale dhe zgjerimin e kapaciteteve të kujdesit për fëmijët marrin mbështetjen më të lartë. Nga ana tjetër, mbështetja për rritjen e pagave në administratën publike është e ulët, me një përqindje të madhe njerëzish që shprehin një qëndrim negativ ndaj rritjes së pagave, dhe rritja prej 16.8% në vitin 2024 është edhe më e lartë se rritja e premtuar në përputhje me rritjen ekonomike”, thuhet në dokument.
Në periudhën e ardhshme, rekomandohet se është e nevojshme të ruhet fokusi në premtimet, zbatimi i të cilave ka filluar tashmë, në mënyrë që të përfundohen brenda një afati kohor të arsyeshëm. Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet premtimeve, zbatimi i të cilave filloi pozitivisht deri në fund të vitit 2024, por që tregojnë rreziqe devijimi në tremujorin e parë të vitit 2025 – siç janë shkalla e inflacionit dhe mbledhja më e lartë e fondeve në buxhetin e shtetit, si dhe përafrimi më i mirë i prioriteteve qeveritare me pritjet dhe nevojat reale të qytetarëve.
Arsimi: niveli më i lartë i zbatimit
Nga 37 premtime të hartuara, 9 janë përmbushur dhe 26 janë në rrugën e duhur për t’u përmbushur, duke treguar një vrull të fortë në aktivitete. Premtimet që janë përmbushur ose janë në rrugën e duhur për t’u përmbushur përfshijnë një rritje të buxhetit të arsimit (në 3.79% të PBB-së), një rishikim të Konceptit për Arsimin Fillor, mbështetje për shkollat e suksesshme dhe zgjerim të masave të përfshirjes arsimore.
“Megjithëse është ndërmarrë një hap fillestar në reformën e arsimit të lartë, zbatimi i premtimeve në këtë segment mbetet më i dobëti. Disa premtime, të tilla si futja e konceptit STEM dhe hapja e një qendre trajnimi mësuesish, ende nuk janë zbatuar ose filluar. Disa nga premtimet nuk janë transpozuar në dokumentet strategjike të Ministrisë së Arsimit, as nuk janë rishikuar dhe riformuluar për t’iu përshtatur politikave aktuale të Ministrisë së Arsimit, duke treguar një nevojë për një harmonizim më të madh midis Programit Qeveritar dhe kapaciteteve reale të sistemit. Megjithatë, vendosja e treguesve për monitorimin e zbatimit është një hap pozitiv drejt një monitorimi më efektiv”, thuhet në dokument për fushën e arsimit.
Shëndetësia: progres i kufizuar me fillime të rëndësishme
Nga 31 premtime, 3 janë zbatuar dhe 5 janë në rrugën e duhur për t’u përmbushur. Këto përfshijnë: rritjen e pikëve të kapitimit për mjekët e kujdesit shëndetësor parësor, heqjen e pozicioneve të drejtorëve ekonomikë dhe futjen e nëntë barnave të reja gjenerike në listën pozitive pas një periudhe të gjatë kohore. Procesi i punësimit të rreth 1,018 punonjësve shëndetësorë që më parë ishin punësuar me kontratë shërbimi në institucionet publike shëndetësore (IPSH) ka filluar (por që tani ka ngecur për shkak të zgjedhjeve). Edhe pse procesi është në vazhdim, ai përballej me disa sfida administrative që e ngadalësonin atë. Procedurat për punësimin e specializantëve privatë në shëndetin publik kanë filluar gjithashtu. Paralelisht, po zbatohen projekte për rinovimin e disa institucioneve shëndetësore dhe prokurimin e pajisjeve të reja mjekësore për diagnostikim dhe trajtim në disa qendra shëndetësore.
“Megjithatë, sfidat mbeten të rëndësishme: një reformë e plotë e kujdesit shëndetësor parësor dhe niveleve të tjera të sistemit shëndetësor, rajonalizimi i spitaleve, mungesa e personelit shëndetësor, transformimi digjital dhe krijimi i një sistemi të qëndrueshëm të kujdesit afatgjatë. Përveç kësaj, perceptimet e qytetarëve zbulojnë një mospërputhje të konsiderueshme midis pritjeve dhe realitetit. Qytetarët vlerësojnë qasje të kufizuar në kujdes shëndetësor të specializuar, infrastrukturë cilësore të pamjaftueshme dhe kosto të larta nga xhepi për ilaçet dhe shërbimet shëndetësore. Këto gjetje tregojnë se masat në sektorin e shëndetësisë duhet të jenë më të përafruara me nevojat reale të qytetarëve, me theks në përmirësimin e qasjes, cilësisë dhe mbrojtjes financiare. Qëllimi është të krijohet një sistem shëndetësor modern, efikas dhe i qëndrueshëm, me standarde të qarta, infrastrukturë dhe potencial më të mirë të burimeve njerëzore, i cili do të përmbushë pritjet e qytetarëve dhe do të ofrojë shërbime shëndetësore cilësore në të gjitha nivelet”, thuhet në dokument.

Rinia: progres institucional, zbatim i pamjaftueshëm i premtimeve specifike
Janë ndjekur 15 premtime, nga të cilat 2 janë përmbushur, 8 janë në proces përmbushjeje dhe 5 nuk janë realizuar. Megjithëse është krijuar një Ministri e re e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe një Qendër për Kërkime mbi Çështjet e Rinisë – që është një risi e rëndësishme institucionale – premtimet specifike të shpallura, të tilla si kuponë prej 250 eurosh për pajisje elektronike për studentët, standardi M-aplikim për të rinjtë ose projekti “Blej Shtëpi për të Rinjtë”, ende nuk janë përmbushur.
Nga ana tjetër, janë nisur iniciativa për rinovimin e konvikteve studentore dhe rritjen e mbështetjes financiare për fermerët e rinj. Rezultate të tilla tregojnë nevojën për afate të qarta dhe forcimin e kapaciteteve institucionale. Gjithashtu, prioritizimi i masave duhet të përputhet me nevojat reale të qytetarëve dhe të rinjve, siç është mbështetja prej 80% për përmirësimin e kushteve të strehimit, 63% për masën “Blej shtëpi për të rinjtë” dhe 73% për mbështetje financiare për sipërmarrësit e rinj, ndër të tjera.
Kujtojmë se platforma KOMPAS monitoron zbatimin e një totali prej 139 premtimesh, të shpërndara në pesë fusha prioritare: socio-ekonomi, arsim, shëndetësi, rini.
Sa i përket rinisë, lidhur me mosfunksionalitetin dhe mospërputhjen në punën e Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini ka reaguar së fundmi edhe Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë. Ata thonë se themelimi i kësaj ministrie u pa si një zgjidhje sistemore për përmirësimin e politikave rinore dhe avancimin e pozicionit të të rinjve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por një vit më vonë, këto shpresa u shndërruan në zhgënjim të thellë. Në vend të angazhimit, të rinjtë po përballen përsëri me mospërfillje institucionale, burokraci dhe mosfunksionim thelbësor.
Sa i përket shëndetësisë, Raportin e Komisionit Evropian për përparimin e vendit i vitit të kuar kritikoi se edhe pse ekziston një sistem shëndetësor elektronik, fletëudhëzimet për pacientët ende jepen në letër, nuk ka mjaftueshëm specialistë, mjekët dhe punonjësit shëndetësor largohen nga shëndetësia publike në atë private apo edhe jashtë vendit, shpenzimet për mbrojtje shëndetësore të paguara nga xhepi janë të larta.
Ndërkohë sa i përket arsimit Maqedonia e Veriut u vlerësua se ka bërë përparim të kufizuar, me vonesa të shumta në miratimin e ligjeve kyçe dhe zhvillimin e strategjive për arsimin e mesëm, arsimin e të rriturve dhe aftësimin profesional. Puna për strategjinë arsimore 2018-2025 është ngadalësuar, dhe mekanizmat e monitorimit mbeten të paqartë. Rezultatet nga PISA 2022 tregojnë performancë të dobët të nxënësve në lexim, matematikë dhe shkencë, ndërsa financimi për arsimin mbetet nën mesataren e BE-së, thuhej në raportin e BE-së për Kapitullin 26: Arsimi dhe kultura.
Për të gjitha këto fusha, BE-ja prej vitesh kërkon që vendi të punojë dhe t’i zbatojë veçanërisht reformat prioritare, në mënyrë që të mund të inkuadrohet në familjen evropiane.