Më 19 shtator në Tearcë do të mbahet edicioni i 14-të i “Ditës së Groshës 2026”
Qendra për Edukim dhe Zhvillim – CED, me mbështetjen e Komunës së Tearcës, Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë si dhe donatorë lokalë, organizon tradicionalisht edicionin e 14-të të “Ditës së Groshës 2026”. Ky manifestim do të mbahet më 19 Shtator 2026 (e shtunë) në oborrin e shkollës fillore “Kiril Pejçinoviq” në Tearcë, me fillim në ora 12:00, transmeton Portalb.mk.
Organizimi i këtij eventi i përgjigjet nevojave të komuniteteve lokale në rajonin e Pollogut për të promovuar më tej përpjekjet për zhvillim lokal, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e qëndrueshmërisë në përputhje me traditat, zakonet dhe burimet e rajonit.
“Dita e Groshës” është një manifestim që bashkon komunitetet, tejkalon barrierat etnike dhe nxjerr në pah vlerat kulturore, bujqësore dhe kulinare të rajonit të Pollogut. Vit pas viti, ky event vazhdon të rritet si në pjesëmarrje ashtu edhe në pasurinë e programit, duke tërhequr mbi 600 vizitorë dhe pjesëmarrës nga rajoni dhe më gjerë.
Edicioni i sivjetshëm do të pasurohet edhe me një program të veçantë kulturor, ku do të prezantohet një grup vallëzimi me performancat e tij tradicionale. Për herë të parë, manifestimi do të mirëpresë edhe pjesëmarrës dhe mysafirë nga Polonia, duke i dhënë aktivitetit një dimension ndërkombëtar dhe duke krijuar mundësi për shkëmbim kulturor, promovim të diversitetit dhe forcim të bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve.