UEFA e caktoi stadiumin ku do të luhet finalja e Ligës së Kampionëve për vitin 2029
“Camp Nou” është zgjedhur nga UEFA për të pritur finalen e Champions League në vitin 2029. Vendimi u mor sot nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, duke i dhënë Barcelonës të drejtën për të organizuar një prej ngjarjeve më të rëndësishme të futbollit evropian, raporton TopChannel.
Stadiumi i rikonstruktuar i Barcelonës ishte në garë për organizimin e finales së vitit 2029 përballë “Wembley”-t të Londrës. Kandidatura e Barcelonës u mbështet nga klubi, autoritetet lokale dhe institucionet spanjolle.
Finalja e vitit 2029 do të jetë një tjetër moment historik për “Camp Nou”, i cili ka pritur më parë dy finale të Kupës së Europës/Champions League.
Në vitin 1989, Milani mposhti Steaua Bukureshtin 4-0 në finalen e zhvilluar në stadiumin katalanas. Dhjetë vite më vonë, në vitin 1999, Manchester United përmbysi Bayern Munichun 2-1 në një prej finaleve më dramatike në historinë e kompeticionit.
Zgjedhja e “Camp Nou” për vitin 2029 vjen pas rikonstruksionit të stadiumit, i cili synon ta rikthejë atë në një nga impiantet më të mëdha dhe moderne të Europës. Kapaciteti përfundimtar pritet të jetë rreth 105 mijë spektatorë.
Finalja e Champions League 2029 do të zhvillohet të shtunën, 2 qershor 2029, në stadiumin e Barcelonës.
Vendimi i UEFA-s i rikthen kështu finalen e kompeticionit më prestigjioz evropian në Katalonjë, ndërsa “Camp Nou” do të jetë sërish në qendër të vëmendjes së futbollit botëror pas përfundimit të projektit të rikonstruksionit.