Jakimovski pyet Mickoskin: Sa vjeç ke qenë kur e ka ndërtuar hidrocentralin tënd të parë

Kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, në një konferencë për media në mëngjes në portat e selisë së partisë “Pallati i Bardhë” iu drejtua liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për të cilin tha se e vetmja pyetje që ai dhe bashkëpartiakët e tij po vënë në dukje këto ditë është se si nipi i Ali Ahmetit në moshën 25 vjeçare ka fituar pasuri kaq të madhe si pjesë e pronës në qendrën tregtare Soravia, transmeton Portalb.mk.

Pyetja është plotësisht legjitime, që ai i ri të shpjegojë se si e ka fituar një pronë miliona dollarëshe, por edhe unë kam një pyetje për Mickoskin, një dhe e drejtëpërdrejtë dhe pres përgjigje, tha lideri i GROM-it.

“Mickoski duhet të tregojë sa vjeç ka qenë kur e ka ndërtuar hidrocentralin e tij të parë dhe ka fituar pronën me miliona dhe nëse e ka fituar para apo gjatë drejtimit të tij në ELEM-in”, tha Jakimovski.

Jakimovski thekson se ai si drejtor i ELEM-it është dashur të ndërtojë hidrocentrale që do të jenë në pronësi të shtetit dhe jo pronë e tij personale, siç bëri Mickovski, i cili sot së bashku me anëtarët e partisë së tij vazhdimisht akuzon njerëz nga kampet e kundërta politike për krim dhe mafiozllëk urban.

Është legjitime që Mickovski t’i thotë këtij populli nëse ka qenë drejtor i ELEM-it kur e ka ndërtuar hidrocentralin e parë për vete e jo për shtetin dhe në sa vite dhe me sa para e ka fituar atë investim miliona dollarësh, tha Jakimovski, duke shtuar se populli duhet ta dijë jo vetëm për Drin Ahmetin aktual, por edhe për atë që pretendon të udhëheqë shtetin, tani lider i opozitës Mickovski.

Ndryshe, Drin Ahmeti është djali i vëllait të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Ai u bë i njohur në opinion pasi që në media u publikua informata se ai, bashkë me disa partnerë nga Shqipëria (Firma PE-VLA-KU SH.P.K.me pronar Vladimir Pjetërgjokaj), e kanë blerë qendrën tregtare në Shkup “Soravia”, e cila paraprakisht ka qenë në pronësi të dy firmave austriake.

Pas reagimeve të shumta në opinion, Drin Ahmeti bashkë me përfaqësues të firmave nga Shqipëria dhe ish pronarit të “Soravia” mbajti konferencë për shtyp ku njoftoi se, partnerët nga Shqipëria do të kenë 51% të aksioneve, ai 39% dhe pronari i deritanishëm Hano Soravia 10%.

Për sa para është shitur nuk dihet, por dihet që “Soravia” para se të shitej ka pasur borxh 20 milionë euro, dhe atë borxh, do ta marrin pronarët e rinj.

Drin Ahmeti është pronar i tre firmave “Thor Industries”, “Everest JD” dhe “Potan Plant”. Ai është dhe bashkëpronar me vëllain e tij BesianAhmeti djalin e Ali Ahmetit, Shkumbin Ahmeti në firmën “HeliosPlant.

Everest JD” ka koncesion aktiv për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në lokalitetin “Bukoviq” në Zajaz, që sipas opozitës është fituar në kohën e pushtetit LSDM-BDI. Por, kjo firmë, merret edhe me ndërtimin e objekteve të inxhinierisë civile dhe ka licencë për hidrocentral. “HeliosPlant” dhe “Potam Plant” janë firma për prodhimin e rrymës.

Opozitarja VMRO-DPMNE gjithashtu akuzoi se më 10 maj të vitit 2022 dy firmat e Drin Ahmetit “Thor industries” dhe “Everest JD” kanë fituar 82 mijë euro të holla shtetërore për bashkëfinancim të inovacioneve nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, në kohën kur me këtë institucion udhëheqë kuadri i BDI-së, Festim Halili.

Xhaxhai i Drinit, Ali Ahmeti, ka premtuar se nuk do ta amnistojë dhe strehojë nëse ka bërë shkelje ligjore dhe i ftoi organet të hetojnë.

Antikorrupsioni ka hapur procedurë për lëshimin e lejes për hidrocentralin. Pavarësisht thirrjeve për hetim nga të gjitha anët, Prokuroria ende nuk ka hapur ndonjë procedurë.