Jakimovski pranoi humbjen, uroi Siljanovska-Davkovën

I pari i GROM-it dhe kandidati për president, Stevço Jakimovski, sonte ka pranuar humbjen dhe ka uruar kandidaten e mbështetur nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova, për kryesimin në rrethin e parë. Ai po ashtu thekson se nuk është i kënaqur me rezultatin dhe se kishte pritshmëri të tjera, transmeton Portalb.mk.

“Këtë konferencë për media po e mbaj me qëllim që të pranoj disfatën e këtyre zgjedhjeve presidenciale dhe në të njëjtën kohë ta përgëzoj zonjën Gordana Siljanovska-Davkova për udhëheqjen e saj dhe t’i uroj fat në raundin e dytë zgjedhor. A janë rezultatet të kënaqshme? Për mendimin tim, natyrisht ato nuk janë të kënaqshme. Ata janë larg pritshmërive. Megjithatë, ishte e rëndësishme që qytetarët e Republikës së Maqedonisë të kishin një zgjedhje. Ata zgjodhën nga shtatë kandidatët e tyre. Nëse kishin të drejtë për atë që zgjodhën, do ta shohim pas pesë vitesh. Shpresoj që të gjithë të jemi të gjallë dhe të shëndetshëm dhe pas pesë vitesh do të kuptojmë nëse zgjedhja ka qenë e mirë apo jo”, tha Jakimovski në konferencën për media.

Jakimovski nuk ka marrë rezultate përfundimtare zyrtare nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, duke pasur parasysh se sipas numërimeve të deritanishme, ai është i fundit nga të shtatët.

Sipas 73.40 për qind të vendvotimeve të procesuara deri më tani, Gordana Siljanovska-Davkova me 257.105 vota është e para, ndërsa për presidentin aktual Stevo Pendarovski votuan 125.825 qytetarë. Pas tij është Bujar Osmani me 94.585 vota, pastaj Arben Taravari me 67.604 vota, Maksim Dimitrievski me 55.158 vota, Biljana Vankovska Cvetkovska me 29.164 vota dhe Stevço Jakimovski me 5.494 vota.

Ndiqni gjitha zhvillimet e ditës së votimit minutë pas minuti. Klikoni linkun për të marrë më shumë informata:

LEXO: U mbyllën vendvotimet në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet presidenciale, të gjitha lajmet për procesin, minutë pas minuti (LIVE)