Padi e re penale ndaj Stevço Jakimovskit dhe dy nëpunëseve komunale
Policia ka ngritur kallëzime penale kundër ish-kryetarit të Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovskit, dhe dy nëpunëseve komunale, për lëshim të dyshimtë të lejeve për ndërtim. Kallëzimet janë ngritur me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, pas hetimit të zhvilluar nga sektorët për krim ekonomik dhe korrupsion, transmeton Portalb.mk.
Sipas MPB-së, e kallëzuara e parë Bllagica Bllazhevska, në cilësinë e udhëheqëses së Sektorit për Urbanizëm në Komunën e Karposhit, në bashkëpunim me të kallëzuarën e dytë Simona Serafimovska Gjureska, kanë lëshuar leje dhe vendime për ndërtim, edhe pse një pjesë e procedurave kishin të bënin me lokacione ku ishte shfuqizuar PDU-ja ose me projekte që nuk ishin në përputhje me planin urbanistik.
Në njërin prej rasteve, investitorëve pretendohet se u është mundësuar në mënyrë të kundërligjshme të fitojnë të drejtën për ndërtimin e një objekti me vlerë mbi 10 milionë denarë.
Në kallëzim janë përfshirë edhe dy raste me strehimore, për të cilat policia pretendon se janë miratuar edhe pse nuk i plotësonin kushtet ligjore, ndërsa në njërin rast paraprakisht ishte marrë edhe vendim për heqjen e tyre.
Jakimovski është kallëzuar për punë të pandërgjegjshme në shërbim, ndërsa dy nëpunëset akuzohen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.
Javën e kaluar, Gjykata Supreme i anuloi aktgjykimet me të cilat Stevço Jakimovski ishte dënuar me një vit burgim për keqpërdorime gjatë legalizimit të selisë së përkohshme komunale në Karposh. Jakimovski ende ndodhet në burg, ku po trajtohet në spital, pasi Gjykata Supreme ende nuk ua ka dorëzuar vendimet gjykatave kompetente.