Supremja e ktheu në rigjykim lëndën ndaj Jakimovskit, ai nuk do të kthehet në burg për pjesën e mbetur të dënimit

Lënda ndaj Stevço Jakimovskit është kthyer nga Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut për rigjykim, ndërsa i dënuari nuk do të kthehet për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të mëparshëm, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacionit të dhënë nga Gjykata, pas vendimit të Gjykatës Supreme, gjykata do ta njoftojë menjëherë institucionin e vuajtjes së dënimit se i dënuari lirohet nga ekzekutimi i mëtejshëm i sanksionit të mëparshëm.

Stevço Jakimovski aktualisht nuk ndodhet në burg, pasi drejtoria e institucionit të vuajtjes së dënimit i kishte dhënë ndërprerje të vuajtjes së dënimit për arsye shëndetësore.

Lënda tani duhet të rishpërndahet në Departamentin për çështje penale për të rritur. Numri i ri i lëndës dhe data e seancës do të bëhen të ditura pasi të përfundojë rishpërndarja.

Vendimi i Gjykatës Supreme nënkupton se procedura për këtë rast do të zhvillohet sërish para gjykatës kompetente.

Ish kryetari i Komunës së Karposhit, Jakimovski, ishte dënuar me një vit burg për ndërtim pa leje në rastin që lidhet me ndërtimin e objektit të komunës në Karposh, pasi Gjykata e Apelit e konfirmoi aktgjykimin në këtë pjesë, ndërsa akuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare e ktheu për rigjykim.