Pendarovski: Rezultatet nuk janë siç i prisnim, diferenca me gjasë do të jetë rreth 130 mijë vota

Kandidati i LSDM-së për president të shtetit, Stevo Pendarovski në  konferencën për shtyp që e mbajti disa orë pas mbylljes së kutive të votimit, tha se rezultatet nuk janë siç i prisnin dhe se me gjasë diferenca mund të jetë 130 mijë vota, transmeton Portalb.mk.

“Me gjasë, diferenca do të jetë rreth 130 mijë vota. Prisnim më pak, por nesër është një ditë e re. Nga nesër fillojmë me takimet me qytetarët që i kemi praktikuar deri më tani. Ishin shtatë kandidatë dhe për këtë votat u ndanë në disa anë. Ne po e nisim nga fillimi dhe detyra ime do të jetë të promovoj konceptin në të cilin besoj thellë, atë koncept të një shteti që nuk është i izoluar, i integruar në Evropë dhe i një shteti që nuk ka ndarje të brendshme në asnjë bazë”, tha Pendarovski.

Ai pret që në raundin e dytë shumë më tepër qytetarë ta njohin konceptin që ai përfaqëson.

“Nuk do të bëj marrëveshje me asnjë nga kandidatët për të ashtuquajturin transferim mekanik të votave. As në 2014 dhe as në 2019 nuk kam bërë një gjë të tillë që mekanikisht t’i marr votat askujt. Këtë nuk do ta bëj as tani, thjesht konceptin tim do ta prezantoj para të gjithë qytetarëve”, theksoi Pendarovski.

Sipas tij, edhe para fillimit të garës zgjedhore, gjendja e koalicionit nuk ishte në të njëjtin nivel si në vitin 2019.

Ndiqni gjitha zhvillimet e ditës së votimit minutë pas minuti. Klikoni linkun për të marrë më shumë informata:

LEXO: U mbyllën vendvotimet në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet presidenciale, të gjitha lajmet për procesin, minutë pas minuti (LIVE)