ISHP-ja me rekomandime për ruajtjen e sigurt të ushqimit gjatë valëve të nxehtësisë
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) u bëri thirrje qytetarëve të RMV-së të mos blejnë ushqime të ngrira nëse ka shenja se kanë filluar të shkrihen, si dhe të mos blejnë produkte me paketim të dëmtuar apo kanaçe të fryra, të dëmtuara ose të ndryshkura, shkruan Portalb.mk.
Temperaturat e larta krijojnë kushte të favorshme për shumëfishimin e shpejtë të mikroorganizmave në ushqim dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi i pasigurt. Gjatë periudhave të valëve të nxehtësisë, duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë përzgjedhjes, transportit dhe ruajtjes së duhur të ushqimit.
„Blini ushqim nga operatorë të regjistruar të ushqimit dhe kontrolloni afatin e përdorimit, gjendjen e paketimit dhe kushtet në të cilat ruhet. Mishin, peshkun, qumështin dhe produktet e qumështit, vezët dhe ushqimet e tjera që prishen lehtë blini të fundit, menjëherë para se të largoheni nga objekti i shitjes. Mos blini ushqime të ngrira nëse ka shenja se kanë filluar të shkrihen. Mos blini produkte me paketim të dëmtuar, si dhe kanaçe të fryra, të dëmtuara ose të ndryshkura“, thuhet në rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik për sigurinë e ushqimit gjatë valëve të nxehtësisë.
Nga ISHP-ja kujtojnë se ushqimet që prishen lehtë dhe ushqimet e ngrira duhet të transportohen në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur. Gjatë transportit më të gjatë, duhet të përdoret një çantë termike e izoluar ose një frigorifer portativ.
“Pas blerjes, ushqimet që kërkojnë ftohje vendosini menjëherë në frigorifer, ndërsa ushqimet e ngrira në ngrirës. Ushqimet e përgatitura dhe ato që prishen lehtë ruajini në frigorifer, në temperaturë nga –1 deri në 4°C, ndërsa ushqimet e ngrira në –18°C ose në temperaturë më të ulët. Mos i lini ushqimet e përgatitura ose ato që prishen lehtë në temperaturën e dhomës për më shumë se 2 orë, ndërsa në temperatura të larta përpiquni që kjo kohë të jetë sa më e shkurtër. Mos i shkrini ushqimet e ngrira në temperaturën e dhomës”, thuhet në rekomandime.
Në lidhje me ushqimin gjatë qëndrimit në ambiente të hapura, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) rekomandon që ushqimet që prishen lehtë të mos lihen të ekspozuara ndaj rrezeve të drejtpërdrejta të diellit ose në automjete të nxehta.
“Gjatë piknikëve, udhëtimeve dhe qëndrimit më të gjatë në ambiente të hapura, ushqimet që kërkojnë ftohje duhet t’i mbani në frigorifer ose në çantë termike të izoluar me mjete ftohëse. Përdorni ujë të sigurt për shëndetin për pirje dhe për përgatitjen e ushqimit, ndërsa frutat dhe perimet lajini mirë para përdorimit. Gjatë periudhave me temperatura të larta, ruajtja e zinxhirit të ftohtë dhe mënyra e duhur e ruajtjes së ushqimit janë veçanërisht të rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve që transmetohen përmes ushqimit”, thuhet më tej në rekomandime.
Gjithashtu ISHP, ka rekomanduar qytetarët të shmangin ekspozimin direkt ndaj diellit dhe aktivitetet fizike në ambiente të hapura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
Rekomandohet:
të vishen rroba të lehta dhe me ngjyra të çelura;
të përdoret kapelë dhe syze mbrojtëse;
të qëndrohet në ambiente me klimë dhe hapësira të freskëta;
të bëhen pushime më të shpeshta në hije nëse qëndrimi jashtë është i domosdoshëm;
të mbyllen dritaret gjatë ditës, ndërsa të ajrosen ambientet gjatë mbrëmjes dhe natës;
të konsumohen mjaftueshëm lëngje gjatë gjithë ditës, pa pritur të shfaqet etja;
të shmanget alkooli, pijet me kafeinë dhe pijet shumë të ftohta;
të konsumohet ushqim më i lehtë dhe të shmangen ushqimet e yndyrshme, me shumë kalori dhe shumë të ëmbla.
Vëmendje e veçantë rekomandohet edhe gjatë qëndrimit në automjet. Automjetet e mbyllura mund të arrijnë temperatura ekstreme brenda një kohe të shkurtër, prandaj
IShP-ja apelon te qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet dhe të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, me qëllim shmangien e pasojave shëndetësore nga temperaturat e larta.