Në Maqedoninë e Veriut u regjistrua muaji më i nxehtë deri më tani
Gushti i vitit 2026 ishte jashtëzakonisht i nxehtë dhe kryesisht i thatë në pjesën më të madhe të vendit, sipas matjeve dhe vëzhgimeve në stacionet meteorologjike krahasuar me vlerat mesatare për periudhën 1991- 2020, raporton MIA.
Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, temperatura mesatare mujore varionte nga 21 gradë Celsius në Berovë deri në 28,4 gradë në Demir Kapi. Në nivel shtetëror, temperatura mesatare në gusht ishte 2,7 gradë mbi mesataren për periudhën tridhjetëvjeçare 1991 – 2020.
Temperatura maksimale më e lartë është matur më 22 gusht në Gjevgjeli dhe ka qenë 41,6 gradë. Temperatura minimale më e ulët është regjistruar në Berovë më 16 gusht dhe ka qenë 5,7 gradë.
Gjatë muajit u regjistruan 27 ditë tropikale, si dhe një valë e gjatë nxehtësie, gjatë së cilës vlerat mesatare mujore të temperaturës u tejkaluan në të gjithë vendin.
Gushti ishte i thatë në pjesën më të madhe të vendit. Reshjet mujore varionin nga 0 milimetra në Shkup – Zajçev Rid deri në 63 milimetra në Berovë.
Megjithatë, në ditë të caktuara, pati ngjarje lokale me stuhi, me reshje të rrëmbyeshme shiu, breshër dhe erë e fuqishme, në disa vende me forcën e uraganit.
Sasia më e lartë ditore e reshjeve prej 44 milimetra u mat në Berovë më 24 gusht.
Krahasuar me vlerën mesatare të gushtit për një periudhë shumëvjeçare (1991-2020), vlera e reshjeve mujore të matura ishte nën mesataren, pra 67 për qind më e ulët se mesatarja kombëtare.