Familjet në Maqedoni hedhin 86 kilogramë ushqim për person në vit, 17 kilogramë më shumë se evropianët

Familjet në Maqedoninë e Veriut mesatarisht hedhin 86 kilogramë ushqim në vit për banor, që është 17 kilogramë më shumë se mesatarja në Bashkimin Evropian – tregon raporti i Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) për Indeksin e Mbetjeve Ushqimore për vitin 2024. Sipas raportit, në vitin 2024 familjet evropiane krijuan 69 kilogramë mbetje ushqimore për person, ndërsa në Maqedoninë e Veriut kjo shifër arriti në 86 kilogramë për person, transmeton Portalb.mk.

Sipas UNEP-it, familjet në Maqedoninë e Veriut në vitin 2024 krijuan gjithsej 179.311 tonë mbetje ushqimore, ndërsa restorantet krijuan 51.283 tonë mbetje ose rreth 25 kilogramë për person në vit. Në sektorin e shitjes me pakicë u krijuan gjithsej 30.755 tonë mbetje ushqimore ose nga 15 kilogramë për person në vit.

“Familjet në Maqedoninë e Veriut krijojnë 17 kilogramë mbetje ushqimore për person më shumë se mesatarja evropiane, restorantet dhe shërbimet e ushqimit nga 10 kilogramë mbi mesataren evropiane, ndërsa në shitjen me pakicë krijohen 5 kilogramë më shumë mbetje ushqimore për person në vit”, thuhet në raport.

Në nivel të Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të Eurostatit, në vitin 2024 çdo qytetar gjeneroi rreth 129 kilogramë mbetje ushqimore, që paraqet rritje prej 0,7 për qind krahasuar me vitin 2023.

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka statistikë zyrtare për sasinë e ushqimit të hedhur dhe matet vetëm sasia e përgjithshme e mbetjeve organike të mbledhura, ku përfshihen ushqimi, gjethet dhe mbetje të ngjashme. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, sasia vjetore e mbetjeve komunale të krijuara për banor në vitin 2025 ishte 417 kilogramë, që është 4,8 përqind më pak se sasia e njëjtë në vitin 2024.