Krahasuar me mesataren evropiane, rritja e çmimeve në Maqedoninë e Veriut është më e madhe
Cila është fuqia blerëse e banorëve të Maqedonisë në krahasim me evropianët, në kushte kur çmimet e ushqimeve po rriten si në Maqedoni ashtu edhe në të gjithë Evropën, dhe ushqimi është një nga artikujt që rëndon më shumë në buxhetin familjar? Për pesë vjet, ushqimet dhe pijet joalkoolike në Maqedoni, sipas Entit Shtetëror të Statistikës, janë rritur në çmim për 46 për qind, por paga minimale në të njëjtën periudhë është rritur për 74 për qind. Llogaritja tregon se me një pagë minimale në gusht 2026, mund të blihet rreth 19 përqind më shumë ushqim sesa në gusht të vitit 2021. Shifra të tilla mund të jenë inkurajuese për standardin e jetesës së qytetarëve, raporton MIA.
Dinamika të ngjashme vërehen edhe në pagën mesatare. Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, paga mesatare mujore bruto në korrik të vitit 2026 arriti në 72,935 denarë, krahasuar me 42,776 denarë në korrik të vitit 2021. Kjo është një rritje nominale prej rreth 71 për qind për pesë vjet. Në të njëjtën kohë, çmimet e konsumit në gusht të këtij viti janë rreth 46 për qind më të larta se ato në gusht të vitit 2021. Prandaj, të dhënat tregojnë se pagat janë rritur më shpejt se çmimet në terma nominal.
Çmimet e ushqimeve në BE për pesë vjet janë rritur për 34 për qind
Sipas të dhënave të Eurostat të analizuara nga “Euronjuz biznis”, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Bashkimin Evropian u rritën me një mesatare prej 34 për qind midis gushtit të vitit 2021 dhe gushtit 2026. Krahasuar me mesataren evropiane, rritja prej 46 për qind në Maqedoni është 12 pikë përqindjeje më e lartë.