SHBA-ja dhe BE-ja kërkuan të respektohet aktgjykimi i Hagës

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës. “Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur i drejtësisë, duke kërkuar që vendimet e saj të respektohen.

“Vendimet e saj duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë apelimi”, shkroi ajo në X, pasi katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u shpallën fajtorë për krime lufte.

“U bëj thirrje të gjithë aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit, shtetet e rajonit nuk mund të tejkalojnë ndasitë dhe të bëjnë hapa para drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE”, u shpreh Kos.