I papranueshëm dhe i dëmshëm edhe për MMPT-në vendimi për zhvendosjen e Bibliotekës së Tetovës

Vendimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës për zhvendosjen e hapësirave të bibliotekës së Tetovës në klasat e Fakultetit të Arteve Muzikore, për nismën Më mirë për Tetovën (MMPT) është i papranueshëm dhe i dëmshëm për gjithë komunitetin, transmeton Portalb.mk.

Kjo nismë thotë se Institucioni Nacional Biblioteka “Koço Racin” – Tetovë është thesar i kulturës dhe dijes, ku aty ka mbi 90 mijë tituj dhe 10 mijë lexues, prej të cilëve 6 mijë lexues aktiv.

“Kjo tregon që ky institucion është një burim i pasur për dijen dhe kulturën tonë dhe është shërbyesi kryesor i shkollës dhe arsimit në Tetovë. Vendimi për ta zhvendosur atë në një hapësirë të kufizuar na tregon mungesën e kujdesit ndaj nevojave të komunitetit dhe sidomos ndaj nevojës së kultivimit të leximit dhe dijes. Për më tepër, vendimi për të mos siguruar qasje për personat me nevoja të ndryshme është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut dhe një shkelje e rëndë e parimeve të barazisë dhe përfshirjes sociale të personave me nevoja të ndryshme”, thonë nga MMPT.

Ata si qytetarë kërkojnë që, Qeveria RMV-së, Ministria e kulturës dhe autoritetet lokale të angazhohen seriozisht për të mbrojtur dhe për të fuqizuar Bibliotekën “Koço Racin”.

“Njëheri, kërkojmë që partitë politike shqiptare të lënë anësh inatet dhe interesat e tyre politike dhe të gjejnë një here për gjithmonë zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme për Bibliotekën dhe lexuesit e saj”, thonë nga MMPT.

Zgjidhje e arsyeshme për situatën aktuale sipas MMPT është të shtyhet vendimi i Ministrisë së Kulturës për zhvendosjen e Bibliotekës “Koço Racin” dhe të kërkohet nga Qeveria sa më shpejtë të bëhet përfundimi i objektit të ri të Teatrit të Tetovës.

“Ky hap do të siguronte që institucionet kulturore të Tetovës të kenë hapësira të përshtatshme të cilat do të plotësojnë nevojat e komunitetit dhe të sigurojnë një ambient të frytshëm për dijen dhe artin. Në një qytet ku ka 2 Universitete, Biblioteka duhet të ketë statusin e një biblioteke universitare, me kushte të volitshme për lexim dhe mundësi për shfrytëzim pa pengesa të të gjitha burimeve që i ofron biblioteka”, thanë nga MMPT.

Biblioteka e Tetovës e ka pranuar vendimin nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës të transferohen në hapësirat të cilat deri tani i ka shfrytëzuar Fakulteti i Arteve Muzikore. Ndërkaq edhe vendim nga ana e Pallatit të Kulturës që do duhet t’i lëshojnë hapësirat aktuale. Objektin aktual ku gjendet biblioteka, Qeveria ka vendosur t’ia jep për shfrytëzim Delegacionit të Bashkimit Evropian për Shtëpinë Evropiane në Tetovë. 

Me këtë vendim nuk pajtohen nga Biblioteka e Tetovës, pasi siç thonë hapësirat ku atyre u ka ardhur urdhri të shkojnë nuk i përmbushin kushtet për funksionimin normal të bibliotekës, pasi janë klasat e ndara, ka shkallë madje nuk ka as banjo e tualet.

Nga Biblioteka theksojnë se ndodhen në udhëkryq pasi nëse fillojnë të dalin nga hapësira aktuale do të ngelin në rrugë pasi hapësirat e reja nuk do i marrin të gjithë librat. Ata kërkojnë që Qeveria dhe Ministria e Kulturës të shqyrtojnë këtë vendim edhe njëherë.

Por pavarësisht insistimit dhe ankesave nga ana e Bibliotekës, Ministria e Kulturës thotë se hapësirat ku biblioteka është paraparë të transferohet janë adekuate për funksionim. Ndërkaq nuk ka shenja nga atje se do të ketë ndryshim të vendimit.

Hapësirat në të cilat do të duhet të transferohet biblioteka janë më të vogla se hapësira ku aktualisht funksionon biblioteka, të cilat nuk është se kanë qenë më të mirat për funksionim, pasi gjithnjë nga biblioteka kanë shprehur pakënaqësitë dhe nevojën për hapësira më të mira dhe më të mëdha, pasi edhe numri i titujve është i lartë si dhe numri i lexuesve, duke e bërë këtë bibliotekë ndër më të vizituarat në vend.

Ky problem nuk do të ekzistonte fare nëse institucionet, me theks të veçantë Ministria e Kulturës do të kishte përshpejtuar aktivitetet e saja për përfundimin e objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, por të njëjtat janë zvarritur me vite.

 janar të këtij vitiPortalb.mk shkroi se objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës premtohet 12 vitendërtohet 9 vite dhe sipas parashikimeve që ende nuk dihet nëse do të realizohen duke pasur parasysh faktin që shpesh ka zvarritje të punëve, do të jetë gati për 5 vite të tjera. Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 17 vite pas premtimit të dhënë.

Biblioteka edhe Teatri i Tetovës funksionojnë në hapësira të Pallatit të Kulturës, të cilat nuk është se ju ofrojnë kushtet më të mira të punës. Për këtë ata për vite me radhë shprehin pakënaqësitë e tyre e shpesh edhe dëshpërim pasi punimet për këtë objekt zvarriten për vite me radhë.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë. Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.