Pse dhe kush kërkon që Biblioteka e Tetovës të zhvendoset

Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut sytë i ka tek objekti i Bibliotekës së Tetovës. Në vend se ta zgjerojnë, duan ta fusin në një vend krejt të vogël, pa fare kushte elementare. Ministria e Kulturës drejton gishtin nga qeveria dhe thotë se është kërkesë e tyre, pasi janë prona shtetërore dhe hapësirën e bibliotekës duan t’ia japin miqve nga delegacioni evropian për përdorim, njofton Portalb.mk

Lexuesit janë të shqetësuar dhe ç’është për t’u admiruar se alarmi ngritet nga lexuesit. Ne e kontaktuam drejtoreshën Rezarta Dervishi Ismailin e cila tha se zyrtarisht nuk i ka ardhur asnjë vendim, por që ju thuhet se duhet ta lëshojnë hapësirën sipas një letër që ka mbërritur në Qendrën për Kulturë. Nga drejtoresha kuptuam se në mungesën e saj kanë qenë vizitorë të cilët e kanë parë hapësirën pa e përfillur autoritetin e saj dhe pa marrë leje nga e njëjta e cila për momentin po shfrytëzon pushimin e lindjes siç i takon ligjërisht.

Drejtoresha Dervishi për Portalb.mk thotë se Ministria e Kulturës planifikon që Bibliotekën ta zhvendos në hapësira ku nuk ka kushte për të funkisonuar.

“Institucioni Nacional Biblioteka “Koço Racin”-Tetovë është e vendosur në hapësirat e Qendrës për Kulturë “Iljo Anteski Smok”-Tetovë. Edhe përkundër faktit që një periudhë më të gjatë vepron në kushte mjaft të vështira dhe vazhdimisht kërkohet përmasimi i kushteve dhe zgjerimi i saj, këto ditë Ministria e Kulturës planifikon që po të njëjtën ta zhvendosë në objekt tjetër shumë më të ngushtë dhe pa kushte elementare për funksionim të bibliotekës. Më saktësisht, planifikohet që biblioteka të zhvendoset në hapësirat e Fakultetit të Arteve Muzikore të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Në këto hapësira mjaft të vogla është e pamundur të vendoset fondi i librave me të cilin disponon biblioteka (33.936 tituj, respektivisht 88.334 libra), fond ky me të cilin shërbehen lexuesit e bibliotekës”, thotë Drevishi.

Më tej, drejtoresha na sqaron se mesatarja e numrit të lexuesve aktivë në bibliotekë çdo vit është është mbi 5.200 lexues, ndërkaq me zhvendosjen e bibliotekës do të pamundësohet që ky institucion të realizojë aktivitetet e veta si qendër e rëndësishme kulturore, edukative dhe informative.

“Hapësirat e fakultetit të arteve muzikore nuk i plotësojnë as kushtet minimale për funksionim të bibliotekës. Ne këto hapësira nuk ka vend as për bibliotekistët e punësuar për të kryer punën e tyre në shërbim të lexuesve, prej të cilëve shumica janë nxënës. Të njëjtat janë disa klasa te vogla me tavane të ulëta që pamundësojnë ruajtjen e fondit të librave, përveç asaj diku rreth 40 përqind e fondit do të duhet të largohet sepse këto hapësira nuk kanë vend të mjaftueshëm për fondin aktual, kurse duhet pasur parasysh që fondi i bibliotekës në kontinuitet furnizohet me titujt më të ri. Këto hapësira nuk përmbushin as kushtet për persona me nevoja te veçanta gjë që do të pamundësojë qasjen e të gjithë lexuesve dhe shërbimin e njëjtë për të gjithë qytetarët”, shton Dervishi.

Me këtë veprim të Ministrisë së Kulturës nuk pajtohen drejtoria, të punësuarit dhe Këshilli Drejtues i bibliotekës, pasi, siç thotë drejtoresha jemi të bindur që kjo do të dëmtojë bibliotekën dhe lexuesit e saj.

“Ministria e Kulturës ka dërguar kërkesë deri te Qendra e Kulturës “Iljo Anteski Smok” që hapësirat të cilat aktualisht shfrytëzohen nga biblioteka t’i jepen në shfrytëzim Delegacionit të Unionit Evropian në RMV”, thotë drejtoresha.

Kontaktuam me drejtorin e Qendrës për Kulturë, Arlind Huseinin i cili tha se është në dijeni të rastit dhe se kërkesa ka ardhur, pritet që të vij dhe vendimi.

“Për momentin në Qendrën e Kulturës me vendime qeverie veprojnë: Teatri i Tetovës, Fakulteti i Arteve i Tetovës, me tre drejtime si: Artet dramatike dhe audiovizuele, Arti figurativ dhe Arti muzikor, Biblioteka, Këndi amerikan, Aleanca franceze, Ansambli muzikor, Pallati i Kulturës, sipas tij shtohen veprimtaritë, ndërkohë problemi 25 vjeçar i nxemjes dhe i klimatizimit ende nuk po zgjidhen, me vetëfinancim po ndërmerr aksione për t’ia ndërruar pamjen tërësisht asaj hapësire”, thotë Huseini.

Vendimi i sipërpërmendur rrezikoi dhe hapësira që shfrytëzon UT. Por, siç duket kanë rënë dakord që hapësirën që ka shfrytëzuar muzika, ta përdor biblioteka, ndërsa tjerat të mos preket.

Kujtojmë që ka hapësira të pashfrytëzuara aty, është ajo e shahistëve që mund të jepet pa fare problem, por pse jo dhe kjo e muzikës? Nëse i plotësoka kushtet për të hapur një bibliotekë aty, fare lehtë i plotëson kushtet për t’ua dhënë miqve të BE-së për të cilët gëzohemi që vinë në Tetovë.

Edhe ashtu, natyra e librave është aq e ndjeshme, sa shumica e tyre do të pësojnë dëmtime fizike e disa do të jenë fare të papërdorshme gjatë bartjes së tyre nga një objekt në tjetër, në të cilin sipas drejtoreshës aty nuk do mund të funksionojnë si bibliotekë, madje as si depo librash me fondin që kanë. Nga lexuesit aktivë të këtij institucioni, pritet që të dilet edhe me protesta ne mbrojtje të bibliotekës deri në tërheqje të këtij vendimi.

janar të këtij viti, Portalb.mk shkruajti se objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës premtohet 12 vitendërtohet 9 vite dhe sipas parashikimeve që ende nuk dihet nëse do të realizohen duke pasur parasysh faktin që shpesh ka zvarritje të punëve, do të jetë gati për 5 vite të tjera. Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 17 vite pas premtimit të dhënë.

Biblioteka edhe Teatri i Tetovës funksionojnë në hapësira të Pallatit të Kulturës, të cilat nuk është se ju ofrojnë kushtet më të mira të punës. Për këtë ata për vite me radhë shprehin pakënaqësitë e tyre e shpesh edhe dëshpërim pasi punimet për këtë objekt zvarriten për vite me radhë.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë. Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.