Bibliotekës së Tetovës i erdhi vendimi për lëshimin e hapësirave, i papranueshëm për bibliotekën

Biblioteka e Tetovës “Koço Racin” ka pranuar vendimin që t’i lëshojnë hapësirat aktuale ku janë dhe të zhvendosen në hapësirat e Fakultetit të Arteve Muzikore. Shkak për këtë është arsyeja se hapësira ku ndodhet aktualisht biblioteka, do t’i jepet për shfrytëzim Delegacionit të Bashkimit Evropian për Shtëpinë Evropiane në Tetovë. Ministria e Kulturës thotë hapësirat nuk do prishin funksionimin normal të institucionit, ndërsa për bibliotekën ky vendim është i papranueshëm, pasi kushtet në hapësirat e reja nuk i plotësojnë kushtet për funksionim normal të bibliotekës, shkruan Portalb.mk.

Ashtu edhe si ishin të paralajmëruar më herët për lëshimin e hapësirave të bibliotekës, tani më për këtë Biblioteka e Tetovës ka pranuar vendimin nga Pallati i Kulturës që duhet t’i lëshojnë hapësirat dhe të transferohen në hapësirat e fakultetit të arteve, të cilat me vendim të Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës i janë dhënë bibliotekës.

Drejtoresha e Bibliotekës, Rezarta Ismaili për Portalb.mk thotë se nuk pajtohen me këtë vendim pasi hapësirat e reja nuk janë për funksionim të bibliotekës. Ajo thotë se do të këmbëngulin që mos t’i lëshojnë hapësirat aktuale.

“Fillimisht dje mbërriti vendimi nga ana e Qeverisë që neve na jepen hapësirat të cilat deri tani i ka shfrytëzuar Fakulteti i Arteve Muzikore (ashtu edhe si planifikohej). I njëjti vendim sot erdhi edhe nga ana e Ministrisë së Kulturës. Sot mbërriti vendim edhe nga ana e Pallatit të Kulturës që do duhet t’i lëshojmë hapësirat aktuale. Normal ne nuk pajtohemi sepse kushtet në hapësirat e reja nuk janë për funksionim të bibliotekës. Do të këmbëngulim që nuk i lëshojmë hapësirat aktuale. Fatkeqësisht Ministria e Kulturës nuk e sheh të arsyeshme të kërkojë mendimin tonë, nuk kemi asnjë komunikim zyrtar nga ana e ministrisë përveç komunikimit që bëhet nëpërmjet Pallatit të Kulturës”, tha Ismaili.

Në këto dokumente mund të shihet edhe vendimi i Qeverisë për dhënien e hapësirave të reja ndaj bibliotekës si dhe vendimi i Pallatit të Kulturës që biblioteka t’i lëshojë hapësirat aktuale.

Vendimi për dhënien e hapësirave të Bibliotekës së Tetovës
Vendimi për dhënien e hapësirave të Bibliotekës së Tetovës
Vendimi për lirimin e hapësirave të Bibliotekës së Tetovës
Vendimi për lirimin e hapësirave të Bibliotekës së Tetovës

Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës është e një tjetër mendimi. Ata thonë se nuk do të prishet funksionimi normal i bibliotekës.

“Qeveria ka miratuar Vendim me të cilin Biblioteka  “Koço Racin”-Tetovë mbetet në objektin ku tani gjendet në Qendrën për Kulturë-Tetovë, vetëm i ndërron hapësirat. Kjo nuk e prish funksionimin normal të institucionit për faktin se bëhet fjalë për hapësira me sipërfaqe afërsisht të njëjtë me hapësirën ku ndodhej Biblioteka deri më tani”, thanë nga Ministria e Kulturës për Portalb.mk

Hapësirat në të cilat do të duhet të transferohet biblioteka janë më të vogla se hapësira ku aktualisht funksionon biblioteka, të cilat nuk është se kanë qenë më të mirat për funksionim, pasi gjithnjë nga biblioteka kanë shprehur pakënaqësitë dhe nevojën për hapësira më të mira dhe më të mëdha, pasi edhe numri i titujve është i lartë, konkretisht kjo bibliotekë ka mbi 33 mijë tituj dhe mbi 88 mijë libra me mbi 5 mijë lexues.

Sipas bibliotekës, transferimi në hapësirat e reja do të pamundësojë që ky institucion të realizojë aktivitetet e veta si qendër e rëndësishme kulturore, edukative dhe informative.

Nga biblioteka thonë se ndoshta me metër katror hapësirat mund të jenë të njëjta, por bëhet fjalë për klasa të ndara, ndërsa hapësira ku aktualisht është biblioteka është hapësirë e përbashkët dhe do të pamundësohet bashkëpunimi midis pjesës së fëmijëve dhe të rriturve, madhe ata thonë se hapësira ka edhe shkallë që është problem për personae me nevoja të veçanta.

Ky problem nuk do të ekzistonte fare nëse institucionet, me theks të veçantë Ministria e Kulturës do të kishte përshpejtuar aktivitetet e saja për përfundimin e objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, por të njëjtat janë zvarritur me vite.

janar të këtij viti, Portalb.mkshkroi se objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës premtohet 12 vitendërtohet 9 vite dhe sipas parashikimeve që ende nuk dihet nëse do të realizohen duke pasur parasysh faktin që shpesh ka zvarritje të punëve, do të jetë gati për 5 vite të tjera. Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 17 vite pas premtimit të dhënë.

Biblioteka edhe Teatri i Tetovës funksionojnë në hapësira të Pallatit të Kulturës, të cilat nuk është se ju ofrojnë kushtet më të mira të punës. Për këtë ata për vite me radhë shprehin pakënaqësitë e tyre e shpesh edhe dëshpërim pasi punimet për këtë objekt zvarriten për vite me radhë.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë. Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.