Biblioteka e Tetovës kërkon nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës të rishqyrtojnë vendimin për lëshimin e hapësirave (VIDEO)

Biblioteka e Tetovës vazhdon mos të pajtohet me vendimin e Qeverisë së RMV-së dhe të Ministrisë së Kulturës për të lëshuar hapësirat ku ndodhen tani dhe të zhvendosen në hapësirat e Fakultetit të Arteve Muzikore. Udhëheqësia e bibliotekës kërkon nga këta dy institucione të rishqyrtojnë këtë vendim, pasi sipas tyre, hapësirat ku ata duhet të transferohen nuk janë të përshtatshme për funksionimin e bibliotekës. Objektin aktual ku gjendet biblioteka, Qeveria ka vendosur t’ia jep për shfrytëzim Delegacionit të Bashkimit Evropian për Shtëpinë Evropiane në Tetovë. Nga Ministria e Kulturës nuk ka shenja se do të ketë ndryshim, shkruan Portalb.mk.

Biblioteka e Tetovës e ka pranuar vendimin nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës të transferohen në hapësirat të cilat deri tani i ka shfrytëzuar Fakulteti i Arteve Muzikore. Ndërkaq edhe vendim nga ana e Pallatit të Kulturës që do duhet t’i lëshojmë hapësirat aktuale.

Bibliotekisti Mahi Murtezani ritheksoi se vendimi për transfer nga hapësirat aktuale te ato të Fakultetit të Arteve është i papërshtatshëm për bibliotekën pasi hapësirat ku atyre u ka ardhur urdhri të shkojnë nuk i përmbushin kushtet për funksionimin normal të bibliotekës.

Ai theksoi se dje nga Ministria e Kulturës përmes telefonit janë paraqitur në bibliotekë që duhet të formohet një komision dhe të filloni përgatitjet për tu realizuar transferi i bibliotekës dhe i tyre si punonjës.

“Në ato hapësira ku duhet të transferohemi nuk e di ministria a ka formuar ekip, a ka dërguar njerëz të sheh se si është gjendja faktike e hapësirave ku duhet të shkojmë. Ne si bibliotekë kemi konstatuar se ato nuk janë kushtet që plotësohen për një bibliotekë shkaku i hapësirës shumë të ngushtë”, tha Murtezani.

Ai shtoi se hapësirat me metër katror janë afërsisht të ngjashme me hapësirën ku aktualisht është biblioteka por organizimi nuk është i përshtatshëm pasi ka katër klasa dhe shkallë, madje nuk ka as banjo e tualet.

Përafërsisht ka mbi 90 mijë libra, gjithë ky fond nuk ka gjasa të futet në ato hapësira. Ne mendojmë dhe i kërkojmë ministrisë që të formojë ekip të vijnë në Tetovë, bashkërisht t’i shohim këto hapësirat ku duhet të shkojmë, po qe se ne tani i lëvizim librat që i kemi, shumë punë e madhe do hapet si të shkatërrohen ato pastaj nuk vijnë në vendin e vet. Të ishte hapësirë adekuate më e madhe nuk do ishte problem, ne me gjithë qejf do kishim kaluar andej”, shtoi Murtezani.

Ai shton se ndodhen në udhëkryq pasi nëse fillojnë të dalin nga hapësira aktuale do të ngelin në rrugë pasi hapësirat e reja nuk do i marrin të gjithë librat.

“Sa të ngelim në rrugë do rijmë kështu si jemi. E kisha lutur ministrinë le të formojë komision bashkërisht do ta vlerësojmë do ta shohim gjendjen reale si është. Është mirë që Qeveria, Ministria e Kulturës, Qendra për Kulturë të shqyrtojnë këto vendime që na kanë sjelë.”, tha Murtezani.

Nga ana tjetër, Vullnet Fejzullahi tha se Qendra për Kulturë nuk mund të bëjë asgjë, pasi gjithçka varet nga qeveria.

“Me vendim të Qeverisë hapësirat në të cilat aktualisht gjendet biblioteka e Tetovës, Qendrës për Kulturë i është marrë dhe i janë dhënë subjekteve të treta, që domethënë se Qendra për Kulturë nuk ka në kompetencat e veta asgjë që të mund të ndërmerr diçka në lidhje me diskolimin e bibliotekës “Koço Racin”, tha Fejzullahi.

Ai pohoi se nëse nuk dislokohen barra do i mbetet Ministrisë dhe Qeverisë.

“Gjithsesi se po për shkak se Qendra e Kulturës nuk ka asnjë farë të drejtë ndaj hapësirave në fjalë”, tha Fejzullahu nga Pallati i Kulturës.

Ndërkohë ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, në një konferencë për media, tha se hapësirat në të cilat transferohet Biblioteka janë të njëjta me ata që i ka aktualisht dhe se kjo, sipas saj, është bërë edhe me pajtimin e të punësuarve dhe drejtoreshës.

“Para së gjithash dua të njoftoj se Biblioteka “Koço Racin” në Tetovë, vetëm i ndryshon hapësirat në kuadër të të njëjtit institucion, përkatësisht mbetet në Qendrën e Kulturës, që do të thotë se funksionimi i Bibliotekës nuk është sjellë në asnjë rrezik. Te unë nuk ka arritur asnjë reagim, as nga të punësuarit, as nga drejtoresha, përkundrazi kjo është bërë me pajtimin e tyre dhe dua të bëj të ditur se kur të transferohen në institucionin e njëjtë, aty do të bëhen renovimet e nevojshme, që të përshtatet ajo hapësirë. Kjo do të bëhet me shpejtësi shumë të madhe, që të mos ketë ndërprerje të funskionimit të Biblikotekës. Por dua të theksoj se ky asnjëherë nuk ka qenë destinaconi i fundit i Bibliotekës. Ajo do të vendoset në objektin e ri që po ndërtohet, e cila duhet të përfundojë më 2027. Që do të thotë deri në finalizim e atij projekti, Biblioteka do të funksionojë si edhe deri tani”, tha Kostadinovska Stojçevska.

Kërkuam qëndrim nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës nëse do të rishqyrtojnë vendimin apo do ta tërheqin të njëjtin.

Nga Ministria e Kulturës u përgjigjën për Portalb.mk se Biblioteka do të mbetet në objektin e njëjtë, por në hapësira të tjera, që do të thotë se nuk do të ketë ndryshim të vendimit, ndërsa sa i përket kushteve, nga Ministria thonë se hapësirat janë adekuate dhe do të ketë rinovim nëse ka nevojë

“Duam të theksojmë se nuk është e vërtetë se bëhet fjalë për hapësirë ​​joadekuate, ndërsa nëse vlerësohet se ka nevojë për ndonjë rinovim apo modernizim të hapësirës që është mirëmbajtur deri më tani, do të shqyrtohet edhe ajo çështje, me qëllim për të mos e rrezikuar në asnjë mënyrë funksionimin e bibliotekës. Theksojmë se nuk bëhet fjalë për kalim në kushte më të këqija se ato aktuale. Ministria e Kulturës nuk ka marrë reagime me shkrim nga drejtori dhe punonjësit e institucionit. Deri në finalizimin e projektit për ndërtimin e objektit të destinuar për Teatrin dhe bibliotekën, biblioteka do të funksionojë pa probleme në këto hapësira”, theksuan nga Ministria e Kulturës për redaksinë tonë.

Ndërkaq edhe para disa ditësh nga Ministria e Kulturës për Portalb.mk patën deklaruar se me këtë transferim të hapësirave të bibliotekës nuk do të prishet funksionimi normal i bibliotekës.

Hapësirat në të cilat do të duhet të transferohet biblioteka janë më të vogla se hapësira ku aktualisht funksionon biblioteka, të cilat nuk është se kanë qenë më të mirat për funksionim, pasi gjithnjë nga biblioteka kanë shprehur pakënaqësitë dhe nevojën për hapësira më të mira dhe më të mëdha, pasi edhe numri i titujve është i lartë, konkretisht kjo bibliotekë ka mbi 33 mijë tituj dhe mbi 88 mijë libra me mbi 5 mijë lexues aktiv.

Ky problem nuk do të ekzistonte fare nëse institucionet, me theks të veçantë Ministria e Kulturës do të kishte përshpejtuar aktivitetet e saja për përfundimin e objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, por të njëjtat janë zvarritur me vite.

 janar të këtij vitiPortalb.mkshkroi se objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës premtohet 12 vitendërtohet 9 vite dhe sipas parashikimeve që ende nuk dihet nëse do të realizohen duke pasur parasysh faktin që shpesh ka zvarritje të punëve, do të jetë gati për 5 vite të tjera. Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 17 vite pas premtimit të dhënë.

Biblioteka edhe Teatri i Tetovës funksionojnë në hapësira të Pallatit të Kulturës, të cilat nuk është se ju ofrojnë kushtet më të mira të punës. Për këtë ata për vite me radhë shprehin pakënaqësitë e tyre e shpesh edhe dëshpërim pasi punimet për këtë objekt zvarriten për vite me radhë.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë. Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.