I është hequr masa e paraburgimit shoferit që dyshohet se ndihmoi në arratisjen e Pallços

I është hequr masa e paraburgimi Stefan Dimovskit, i cili dyshohet se ka ndihmuar në arratisjen e Ljupço Palevski-Palço. Vendimin për lirimin e tij nga qendra e paraburgimit në Shutkë e ka marrë gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale – Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Pas propozimit të kryeprokurorit për heqjen e masës së paraburgimit për S.D dhe caktimin e masave të sigurimit, gjyqtari në procedurë paraprake për të ka caktuar masa, ndalim daljeje nga vendbanimi, konfiskim të dokumentit të udhëtimit, detyrim paraqitje në gjykatë dhe konfiskim, pra ndalim i përdorimit të patentë shoferit”, njofton Gjykata Penale.

Propozimi për heqjen e masës së paraburgimit është i prokurorisë, pasi për veprën penale – ndihmë, ligji nuk lejonte zgjatjen e masës për më shumë se tre muaj.

“Duke marrë parasysh veprën për të cilën dyshohet personi dhe dënimin me burgim me kusht, kohëzgjatja maksimale e mundshme ligjore e paraburgimit për këtë të dyshuar është tre muaj. Pas skadimit të atij afati, të dyshuarit i zëvendësohet masa e paraburgimit me masat e duhura të sigurimit”, thonë nga Prokuroria.

Palevski është i dyshuari kryesor për vrasjen e 14 vjeçares Vanja Gjorçevska, trupi i së cilës u gjet më 3 dhjetor.

Kujtojmë se Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe rasti bëri bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur dezinformata dhe një sërë spekulimesh. Më 3 dhjetor u gjet trupi i saj i pajetë, gjithashtu, i pajetë u gjet edhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Dy të vrarët nuk kishin ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, por për rrëmbimin e Vanjës u përdor vetura e Zhezhovskit.  Në po të njëjtën ditë kur u gjetën dy trupat, u caktua paraburgim për tre të dyshuaritVllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. I dyshuar për përfshirje është dhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, për të cilin po ashtu u caktua paraburgim. Megjithatë i dyshuari kryesor për organizim dhe kryerësi të vrasjes, është Ljupço Palevski, i cili fillimisht u arratis, por me 5 dhjetor u arrestua në Turqi dhe iu caktua paraburgim ekstraduesProcedura e ekstradimit të Palevskit mund të zgjasë me muaj për shkak se Turqia mund të kërkojë dokumentacion shtesë. Në ndërkohë, pritet që Prokuroria të dalë me të dhëna shtesë për rastet, motivi i së cilave ende mbetet “përfitim financiar”.