RMV-ja ka nevojë për transparencë më të madhe institucionale, KE-ja përsëriti vërejtjet

Institucionet në Maqedoninë e Veriut nuk janë mjaftueshëm transparente për të kaluar provimin e Bashkimit Evropian, edhe pse ka përparim në këtë fushë, ende ka mangësi të shumta dhe nevojë për punë më të madhe. Kjo mes tjerash është konstatuar në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023 mbi në rrugën e RMV-së drejt integrimit evropian, të cilin Portalb.mk e analizoi për sa i përket transparencës së institucioneve të vendit.

Raporti duke iu referuar ngjarjeve të fundit me kryetarët në Këshillin Gjyqësor, thekson se transparenca në procesin e vendimmarrjes së Këshillit Gjyqësor duhet të rritet.

“Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë zbatuar dhe mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti të rishikojë kuadrin legjislativ dhe funksionimin e përgjithshëm të Këshillit Gjyqësor për të rritur transparencën dhe pavarësinë e tij dhe për të rritur zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe prokurorinë”, thekson Raporti.

Në raport thuhet se Këshilli i Prokurorëve Publikë përmirësoi transparencën e saj duke i vënë seancat në dispozicion në platformat e mediave sociale, por ende ka nevojë për të dhënë arsyetim për vendimet e saj.

“Si Këshilli Gjyqësor ashtu edhe Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të veprojnë me vendosmëri për të promovuar dhe mbrojtur pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të rritur transparencën dhe për të parandaluar çdo përpjekje për të ushtruar ndikim ose frikësim të padrejtë”, thuhet në Raport.

Në lidhje me prokurimet publike, raporti thekson se në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti të përmirësojë koordinimin ndërmjet aktorëve kryesorë dhe të forcojë kapacitetin e tyre për të zbatuar parimet e transparencës, konkurrencës së lirë, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit.

“Në vitin e ardhshëm, vendi duhet të miratojë ligjin e ri për sistemin e kontrollit të brendshëm financiar publik dhe mjetet metodologjike përkatëse dhe të fillojë zbatimin e tyre për të përmirësuar transparencën, përjgjegjësinë menaxheriale dhe menaxhimin e shëndoshë të fondeve publike”, thuhet në Raport.

Nënvizohet se Ministria e Financave ka vijuar të përmirësojë transparencën e menaxhimit të financave publike, duke publikuar çdo tremujor të dhëna për të ardhurat dhe shpenzimet e institucioneve publike, pushtetit vendor dhe kompanive shtetërore.

“Ministria e Financave duhet të investojë më tej në rritjen e pjesëmarrjes së publikut në çdo fazë të përgatitjes, ekzekutimit dhe raportimit të buxhetit. Transparenca buxhetore dhe efektiviteti i shpenzimeve publike duhet të rritet më tej”, thekson Raporti.

Mjedisi i biznesit sipas raportit vazhdoi të pengohej nga përmasat e mëdha të ekonomisë informale, progresi i ngadaltë në thjeshtimin e tarifave parafiskale dhe regjim jotransparent dhe joefikas i ndihmës shtetërore.

Transparenca dhe efikasiteti i ndihmës shtetërore sipas Raportit mbetet i mangët.

“Në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti të sigurojë transparencë të plotë të ndihmës shtetërore të dhënë nga autoritetet… Ligji për ndihmën shtetërore dhe legjislacioni zbatues i tij duhet të harmonizohen më tej me acqui-in e BE-së. Inventarit të ndihmës shtetërore ende i mungon transparenca”, thotë Raporti.

Sipas Raportit vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar transparencën e institucioneve publike, megjithatë thuhet se vazhdon transparenca e pamjaftueshme.

Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është çështje shqetësuese, këtë thekson Raporti i cili sugjeron që në vitin e ardhshëm vendi duhet veçanërisht të përmirësojë historikun e tij në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, me hetime proaktive në kohë, profesionale dhe transparente.

Gjithashtu thuhet se duhet të forcohet transparenca dhe llogaridhënia në menaxhimin e fondeve publike.

Sipas Raportit, vendi gjithashtu duhet të avancojë me përgatitjen dhe miratimin e pjesëve kryesore të legjislacionit që rregullojnë tregjet e kapitalit, përkatësisht Ligjin për instrumentet financiare dhe Ligjin për prospektet dhe transparencën e emetuesve të letrave me vlerë.

Sipas raportit, sektori i shëndetësisë dhe inspektoratet janë të pambrojtura ndaj korrupsionit, ku thuhet se procedurat e trajtimit jashtë vendit janë jotransparente dhe jo objektive.

Ndër të tjera, raporti thekson se legjislacioni zgjedhor duhet të rishikohet në mënyrë gjithëpërfshirëse për të adresuar mospërputhjet në mënyrë transparente.

Raporti thekson se duhet transparencë më e madhe në lidhje me reklamimin në media nga institucionet shtetërore dhe partitë politike.

“Shoqatat e medias vazhduan të shprehin shqetësimin për dispozitat ligjore që u mundësojnë partive politike të përdorin fondet shtetërore për të reklamuar në media dhe për mungesën e transparencës së reklamave partiako-politike në përgjithësi dhe në platformat e mediave online në veçanti”, thuhet në Raport.

Mes tjerash Raporti vë në dukje se qasja e palëve të treta në infrastrukturën e gazit natyror është në përputhje me acquis të BE-së, por transparenca duhet të përmirësohet.

Raporti thekson se RMV-ja duhet të forcojë politikën e investimeve si një çështje urgjente duke racionalizuar tubacionet e investimeve të mbështetura nga metodologjia e shëndoshë, transparente dhe gjithëpërfshirëse, përgjegjësitë e qarta të palëve të interesuara dhe një kornizë e qëndrueshme e partneritetit publiko-privat.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 8 nëntor 2023. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Portalb.mk ka publikuar gjetjet e raportit për disa fusha të cilat mund t’i lexoni KËTU.