Aksion i MPB-së në “Makstil” për dyshime për krim ekologjik: Kontrollohen toka dhe disa lëndë të para
Policia që nga paraditja e sotme po zhvillon një aksion në fabrikën e prodhimit të çelikut “Makstil”, për shkak të dyshimeve për vepra penale në fushën e krimit ekologjik. Se bëhet fjalë për fabrikën “Makstil” kanë raportuar disa media, duke iu referuar burimeve nga hetimi, për të cilin deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje zyrtare, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve fillestare zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), aksioni po zhvillohet pas marrjes së informacioneve operative dhe sigurimit të një urdhri nga prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike në Shkup.
Aksionin po e realizojnë zyrtarë të Njësisë për Krim Ekonomik dhe Korrupsion pranë Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, të cilët, sipas MPB-së, po kryejnë kontrolle dhe po shqyrtojnë mostra të tokës dhe të disa lëndëve të para.
“Zyrtarët policorë të Njësisë për Krim Ekonomik dhe Korrupsion pranë SPB Shkup, pas marrjes së informacioneve operative dhe sigurimit të një urdhri nga prokurori publik i PTHP-së Shkup, po kryejnë kontroll dhe shqyrtim të mostrave të tokës dhe të disa lëndëve të para, për të verifikuar dyshimet për vepra të mundshme penale në fushën e krimit ekologjik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se detajet për aksionin do të publikohen pas përfundimit të plotë të aktiviteteve në terren.