I akuzuari në serinë e vrasjeve të grave në rajonin e Kumanovës u deklarua i pafajshëm dhe mbeti pa avokat

Seanca e parë gjyqësore, me të cilën sot në Gjykatën Themelore të Kumanovës nisi procesi kundër 25-vjeçarit Trajçe Bojkovski nga Nagoriçani i Vjetër, i akuzuar për katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje të grave, u shty. Arsyeja ishte refuzimi i të pandehurit për t’u deklaruar lidhur me aktakuzën dhe nëse e pranon apo e mohon fajësinë, pas së cilës avokati i tij hoqi dorë nga përfaqësimi, transmeton Portalb.mk.

Në seancën e sotme fjalën hyrëse e mbajti vetëm prokurori publik Ljubomir Lape, i cili paralajmëroi se gjatë gjykimit do të dëshmojë se motivi dominues i të pandehurit për kryerjen e krimeve ishte nekrofilia.

Seancës i parapriu procedura e zakonshme si para çdo procesi gjyqësor. I akuzuari u soll nga burgu i Kumanovës, ku ndodhet në paraburgim, në sallën e gjyqit, ku ishin të pranishëm anëtarët e familjeve të viktimave, prokurori publik dhe mbrojtësi i tij.

Por, pasi gjykatësi Mirsad Suroji u përpoq të verifikonte të dhënat personale të të akuzuarit, Bojkovski dukej i shpërqendruar, nuk komunikonte fare me gjykatësin, ndërsa shikimin e kishte të fiksuar në tavanin e sallës së gjyqit dhe njëkohësisht buzëqeshte.

Për shkak të sjelljes së tij dhe injorimit të pyetjeve, gjykata dha një pushim të shkurtër, pas të cilit palët u kthyen në sallë. Këtë herë, sipas mediave, Bojkovski konfirmoi identitetin e tij, ndërsa pyetjeve të gjykatësit lidhur me aktakuzën iu përgjigj se e kupton për çfarë akuzohet dhe u deklarua i pafajshëm.

Ky deklarim i të akuzuarit shkaktoi reagimin e avokatit të tij, Dragan Trajkoviq, i cili tha se e kishte këshilluar klientin e tij ta pranonte fajësinë. Këtë ai e kishte paralajmëruar edhe para fillimit të seancës së sotme, por Bojkovski nuk e bëri. Për shkak të kësaj situate, me kërkesë të avokatit u dha një pushim i shkurtër, pas të cilit Trajkoviq hoqi dorë nga përfaqësimi, duke kërkuar që të pandehurit t’i caktohet një mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

“Duke pasur parasysh se i akuzuari nuk e pranoi këshillën time, si mbrojtës heq dorë nga autorizimi im në përputhje me nenin 76, paragrafi 7 i Ligjit për Procedurën Penale dhe, në përputhje me të njëjtin nen, paragrafi 5, propozoj që gjykata t’i caktojë një mbrojtës sipas detyrës zyrtare me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tij”, citohet nga “Sloboden Peçat” deklarata e Trajkoviqit.

Në fjalën e tij hyrëse, prokurori Ljubomir Lape tha se bëhet fjalë për një rast të paprecedentë jo vetëm në praktikën gjyqësore maqedonase, por edhe në atë të ish-Jugosllavisë. Megjithatë, sipas tij, Prokuroria i është përgjigjur me sukses kësaj sfide dhe gjatë procesit gjyqësor do të dëshmojë se Bojkovski i ka kryer me paramendim këto vepra të rënda penale për motive të ulëta.

“Do të dëshmojmë se Bojkovski, për motive të ulëta dhe me paramendim, u ka marrë jetën katër grave, ndërsa ka tentuar të vrasë edhe dy të tjera. Do të paraqiten prova nga të cilat do të vërtetohen të gjitha faktet dhe elementet thelbësore të veprave penale. Nga procesverbalet e zhvarrimeve, në lidhje me gjetjet e autopsisë, do të përcaktohet mënyra e kryerjes së veprave, ndërsa nga ekspertiza psikiatrike gjyqësore dhe provat e tjera do të përcaktohen motivet që e shtynë të akuzuarin t’i kryente ato”, tha prokurori publik në fjalën hyrëse.

Ai paralajmëroi se gjatë procedurës së provave do të dëshmojnë edhe viktimat që i mbijetuan sulmeve, raportoi MIA.

“Do të vërtetohet se, me qëllim për të kënaqur instinktet seksuale ndaj trupave të pajetë të grave, duke shfrytëzuar faktin se ato ishin vetëm, të pafuqishme, kryesisht të moshuara dhe në gjumë, ai hynte në shtëpitë e tyre, i sulmonte fizikisht, i godiste dhe i mbyste, e më pas, pasi i vriste, kryente penetrim seksual me organin e tij gjenital mbi viktimat tashmë të ndjera”, tha prokurori.

Përfaqësuesi i aktakuzës theksoi se, megjithëse në veprimet e të akuzuarit përmbahen disa elemente cilësuese të veprave penale, Prokuroria konsideron se nekrofilia ka qenë motivi dominues për kryerjen e tyre.

Fjala hyrëse e mbrojtjes nuk u mbajt, pasi avokati i të akuzuarit hoqi dorë nga përfaqësimi pasi klienti i tij u deklarua i pafajshëm, në kundërshtim me këshillat që kishte marrë prej tij. Për shkak të kësaj situate, gjykatësi Suroji e shtyu seancën dhe caktoi seancën e radhës për më 31 gusht në orën 11:00 në Gjykatën Themelore të Kumanovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Publike të Kumanovës, Bojkovski akuzohet për katër vepra penale të vrasjes dhe dy tentativa për vrasje, të kualifikuara sipas nenit 123 të Kodit Penal. Duke qenë se, sipas aktakuzës, ai me paramendim u ka marrë jetën disa personave, për këto vepra parashikohet dënim me burg prej të paktën dhjetë vjetësh deri në burgim të përjetshëm.

Hetimi ka konstatuar se veprat janë kryer për motive të ulëta në periudhën nga janari 2025 deri në shkurt 2026, ndërsa objektiv i sulmeve kanë qenë kryesisht gra të moshuara dhe të pafuqishme që jetonin vetëm.

Sipas aktakuzës, vrasja e parë është kryer natën mes 5 dhe 6 janarit 2025 duke ia marrë jetën një gruaje të moshuar dhe të pafuqishme. Ai hyri në shtëpinë e saj dhe ndërsa ajo flinte në shtrat, e sulmoi fizikisht dhe filloi ta mbyste me dhunë. Gruaja vdiq nga frakturat dhe lëndimet e shumta që e penguan të merrte frymë.

Në një periudhë të paspecifikuar kohore midis 05.06.2025 dhe 07.06.2025 në fshatin Dragomance, ai vrau me paramendim një grua tjetër në mënyrë të ngjashme.

Incidenti i tretë u regjistrua më 22.07.2025 në fshatin Çellopek, ku ai u përpoq të vriste një grua e cila arriti ta frikësonte duke e thirrur djalin e saj, kështu që i pandehuri iku.

Në orët e mbrëmjes midis 17.01.2026 dhe 18.01.2026 në fshatin Nagoriçani i Vjetë, i pandehuri vrau me paramendim një grua që ishte më e re në moshë, por të cilën ai e dinte gjithashtu se ishte vetëm. Mënyra e kryerjes së krimit ishte e ngjashme me atë të viktimave të mëparshme.

Në fshatin Çelopek, në orët e mbrëmjes midis 05.02.2026 dhe 06.02.2026, i pandehuri i mori jetën një viktime tjetër të moshuar dhe të pafuqishme.

Ngjarja e fundit e regjistruar ishte më 9 shkurt në fshatin Çellopek, ku ai qëllimisht u përpoq t’i merrte jetën një gruaje tjetër.

Njëzet e pesë vjeçari T. B. nga fshati Malotinë në komunën e Nagoriçanit të Vjetër u arrestua më 13 shkurt të këtij viti si i dyshuar për vrasjen e një banores 78-vjeçare të fshatit Çellopek.