DokuFest shpall filmat në garë për edicionin e 25-të

DokuFest ka shpallur filmat në garë për edicionin e 25-të jubilar të festivalit, i cili do të mbahet nga 7 deri më 15 gusht në Prizren. Nga gjithsej 3.687 filma të dërguar për shqyrtim, ekipi i programuesve ka përzgjedhur 104 filma, të cilët do të garojnë në tetë kategori. Filmat dokumentarë dhe të shkurtër vijnë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa disa prej tyre do të shfaqen si premiera botërore, ndërkombëtare dhe evropiane. Pjesë e këtij festivali do të jenë edhe filma nga Maqedonia e Veriut, shkruan Portalb.mk.

Sipas organizatorëve, programi i këtij viti sjell rrëfime që pasqyrojnë realitetin e trazuar global, duke trajtuar tema si luftërat dhe pasojat e tyre në komunitete, mbrojtja e pyjeve, militarizimi i policisë, nxehtësia ekstreme dhe shkrirja e akullnajave.

Drejtori artistik i DokuFest-it, Veton Nurkollari, ka thënë se përzgjedhja përfshin filma që kanë befasuar dhe prekur thellë ekipin përzgjedhës, por mbi të gjitha filma që flasin për botën në të cilën jetojmë.

Ndërkaq, Samir Karahoda, udhëheqës i Programit të Filmit të Shkurtër, ka theksuar se DokuFest vazhdon të sjellë autorë që sfidojnë format tradicionale të rrëfimit dhe trajtojnë tema të ndjeshme përmes filmit të shkurtër.

Në mesin e filmave të përzgjedhur janë edhe disa produksione nga Kosova, të përfshira në kategori si “Balkan Short Dox”, “International Short Dox”, “National” dhe programe të tjera garuese.

DokuFest njoftoi se në ditët në vijim do të publikohen edhe programet e tjera të festivalit, përfshirë “View from the World”, programin “Country in Focus”, përbërjen e jurive, diskutimet, masterclass-et dhe performancat muzikore.

Listën e plotë të filmave në garë për edicionin e 25-të të DokuFest-it mund ta gjeni: https://dokufest.com/en/news/films-in-competition