Hasani në takim me krerët e vendit: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të gatshme për në BE

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot realizoi takim me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, i cili është në vizitën e parë zyrtare në vend pas marrjes së detyrës, transmeton Portalb.mk.

Në fokus të takimit ishin marrëdhëniet bilaterale, situata aktuale politike në rajon, aleanca në NATO, si dhe perspektivat evropiane të të dy vendeve, të cilave iu referuan me theks të veçantë.

“Të dy vendet tashmë një vit në mënyrë aktive zhvilluan negociata me të cilat kanë përfunduar me sukses procesin e skriningut, duke marrë nota të mira, madje të shkëlqyera. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme t’i hapen klasterët dhe kapitujt, andaj ky proces nuk duhet të zgjatet; përkundrazi të dy vendet duhet t’i vazhdojnë negociatat dhe ta përshpejtojnë integrimin e tyre edhe para anëtarësimit të plotë”, potencoi Osmani, duke veçuar harmonizimin e plotë ose 100% me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Unionit, implementimin e lartë të legjislacionit evropian, si dhe faktin se të dy vendet tashmë janë aleatë në NATO, së bashku me numrin më të madh të vendeve evropiane.

Në takim u hapën temat edhe për bashkëpunimin rajonal, iniciativat e shumta rajonale dhe mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare në përgjithësi. U potencua se gjatë vitit që lam pas të dy vendet kishin rol të rëndësishëm multilateral: Maqedonia e Veriut si kryesuese e OSBE-së, ndërsa Shqipëria si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, u takua me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani. Takimi theksoi lidhjet e ngushta mes dy kombeve, me një vizion të përbashkët për përparim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Duke shprehur ndjenjën e fortë të miqësisë mes dy vendeve, si dhe ekipeve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilat bashkëpunojnë prej kohësh, theksoi bashkëpunimin e ngushtë, të bazuar në vlera dhe synime të përbashkëta.

Igli Hasani dhe Bojan Mariçiq. Foto: SÇE
Igli Hasani dhe Bojan Mariçiq. Foto: SÇE

“Ndjejmë një marrëdhënie dhe lidhje të ngushtë me Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria është miku, fqinji ynë dhe së bashku do të qëndrojmë në krah të njëri-tjetrit në proceset integruese në BE”, tha zëvendëskryeministri Mariçiq.

Angazhimi për bashkëpunim dhe marrëdhënie të forta fqinjësore u konfirmua nga të dyja palët me theks në marrëdhëniet mes dy kombeve si miq dhe aleatë në rrugën drejt BE-së.

Në takim u theksua gatishmëria e shteteve, ku zëvendëskryeministrja Mariçiq theksoi: “Ne i kemi kryer detyrat e shtëpisë dhe qëllimi ynë kryesor është ta kalojmë sfidën e ndryshimeve kushtetuese dhe vendosmërisht të ecim përpara drejt Bashkimit Evropian.

Mariçiq dhe ministri Hasani konfirmuan përkushtimin e tyre për përpjekje të përbashkëta dhe këmbëngulje në rrugën drejt BE-së, duke premtuar se do të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje dhe mbështetje reciproke. Ata shprehën besimin se përmes bashkëpunimit të ndërsjellë do të kapërcejnë sfidat dhe do të arrijnë qëllimin e përbashkët për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.

Bashkëbiseduesit në takim u pajtuan se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i përkasin Bashkimit Evropian modern me përkushtim dhe punë të palodhshme për arritjen e qëllimit – anëtarësimin e plotë në BE.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.