Ajhan Sulkoski u zgjodh kryetar i Këshillit të Komunës së Kërçovës, AKI dhe të pavarurit të pakënaqur
Sot u mbajt mbledhja e parë e Këshillit Komunal të Kërçovës, ku kryetar u zgjodh Ajhan Sulkovski, nga radhët e VLEN-it, përkatësisht Lëvizjes Besa me prejardhje turke. Zgjedhja e tij shkaktoi reagimin e koalicionit AKI dhe këshilltarëve të listës së pavarur, të cilët shprehen të zhgënjyer duke thënë se ata janë shumicë në Këshill dhe se është shkelur vullneti i qytetarëve, transmeton Portalb.mk
“Sapo mbaroi mbledhja e parë e këshillit komunal dhe sot përfundimisht u shkel vullneti i qytetarëve, të cilët, më 19 tetor vendosën që ky këshill të frymojë shqip. Siç duket pazaret e VMRO-VLEN sa herë e vjen dalin në sipërfaqe dhe sot ato pazare sot i nxorën ta marrin vesh të gjithë qytetarët. Ne si koalicion i AKI-t kemi zgjatur dorën e bashkëpunimit me këshilltarët e VLEN dhe listës së pavarur, por gjithmonë kanë ra në vesh të shurdhër. Humbja e Komunës së Kërçovës do të drejtohet nga to. Ne do të jemi zëri i qytetarit, do mbrojmë shqiptarët. Shpresoj që çdo marrëveshje dhe çdo pazar, të cilin ata e kanë bërë me VMRO-DPMNE-në do ta nxjerrim në sipërfaqe në të gjithë Kërçovën”, thonë nga AKI.
Bartësi i listës së koalicionit AKI, Ilir Rushani, këshilltar në Komunën e Kërçovës, tha se kryesuesi aktual i Këshillit nuk zotëron gjuhën shqipe. Sipas Rushanit, përmes VLEN-it po përmbushen kërkesat e VMRO-së, dhe shqipja po nëpërkëmbet në institucionet lokale.
Nga ana tjetër, Kujtim Kasami nga lista e pavarur vlerëson se nuk paraqet realitetin e Komunës, që është me shumicë shqiptare dhe koalicioni VMRO-VLEN me këtë zgjedhje të mos pasqyrojë këtë.
“Ne do të jemi zëri i qytetarëve, që kërkon reagim dhe bashkim për të mbrojtur të drejtat dhe identitetin e gjuhës shqipe në institucionet lokale. Ne do kemi qëndrimet tona të pavarura dhe për pika të dobishme për qytetarët, do t’i përkrahim”, tha Kasami.
Ndryshe, pas 12 vitesh, Fatmir Dehari nga radhët e AKI-t, dorëzoi pushtetin pasi humbi përball kandidatit të VMRO-së Aleksandar Jovanovskit.