Ligjet që kërkojnë Badenter mbeten të bllokuara në Kuvendin e RMV-së, nuk ka marrëveshje politike
Ligji për Arsimin e Lartë dhe ligjet e tjera që për miratimin e tyre kërkojnë shumicën e Badenterit vazhdojnë të mbeten të bllokuara dhe në pritje të marrëveshjes politike midis pozitës dhe opozitës. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, tha se është në komunikim të vazhdueshëm me partitë politike dhe se po zhvillon dialog për të arritur marrëveshje që do të mundësonte votimin e këtyre ligjeve, shkruan Portalb.mk.
“E rëndësishme është që dialogu të vazhdojë dhe të jemi të hapur të bisedojmë. Demokracia parlamentare është kështu, kërkon dialog dhe insistim. Unë mundohem që këtë hapësirë ta siguroj”, deklaroi Gashi.
Në procedurë parlamentare janë tre ligjet e propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës – Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore dhe Ligji për Cilësinë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë, por ato janë bllokuar nga partitë opozitare shqiptare, pasi shumicën parlamentare i mungon Badenteri.
Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit dhe Shkencës në RMV, Vesna Janevska, thotë se nuk është në rregull që shumica e Badenterit të përdoret si mjet për arritjen e zgjidhjeve politike dhe atë pikërisht përmes arsimit.
“Miratimi i tyre është bllokuar përmes mekanizmit që quhet Badenter. Është e njohur përgjithësisht se ai është keqpërdorur në të kaluarën dhe se Qeveria dëshiron të bëjë një ligj më të mirë për përfaqësimin e drejtë, gjë të cilën unë personalisht, e përsëris shumë herë, e mbështes maksimalisht. Po, të drejtat e komuniteteve më të vogla në shtet duhet të mbrohen”, ka deklaruar Janevska.
Në fushën e arsimit kanë reaguar edhe nga Lidhja Shqiptare.
“Janevska informoi se ka reduktuar numrin e studentëve që do të pranohen në disa fakultete me arsyetimin se ka shumë kuadro që nuk punësohen. Ndërkohë kujtojmë se kjo Qeveri në praktikë ka bllokuar punësimin e të rinjëve shqiptarë, propozon ligj për përfaqësim të drejtë që eliminon kuotat etnike dhe krimin e vet tani e përdor edhe si alibi për të mbyllur katedra e fakultete”, thonë nga LSH-ja.
Ndryshe, parimi i Badenterit kërkon që ligjet që prekin drejtpërdrejt kulturën, përdorimin e gjuhëve, arsimin, dokumentet personale dhe përdorimin e simboleve të miratohen me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, përfshirë edhe shumicën e deputetëve të pranishëm nga komunitetet që nuk janë shumicë në popullsi. Pa këtë shumicë të dyfishtë, këto ligje nuk mund të miratohen.
- LEXO: Lidhja Shqiptare: Qeveria aktuale i sulet arsimit shqip, do të na kthejë në vitet e 90-ta
- LEXO: Njëzet e pesë vjet nga Marrëveshja e Ohrit: korniza u ndërtua, fotografia mungon
- LEXO: Ligjet për arsimin e lartë do të presin shtatorin, BDI e pezulloi bllokadën por jo kushtet
- LEXO: Badenteri në Kuvend përplasi BDI dhe VLEN, kush e ka legjitimitetin?