Forumi për Ndryshime në Arsim i kërkoi Afrim Gashit ta hapë restorantin e Kuvendit për studentët
Forumi për Ndryshime në Arsim i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, që më 27 nëntor 2026 të organizojë Ditë të Hapur të Restorantit të Kuvendit, ku 30-40 studentë të mund të porosisin dhe ta paguajnë vetë ushqimin me të njëjtat çmime që vlejnë për deputetët. Kërkesa vjen pas bujës së shkaktuar në opinion lidhur me çmimin e shujtës studentore, shkruan Portalb.mk.
Në kërkesën drejtuar Gashit dhe Kuvendit, Forumi thekson dallimin ndërmjet mundësive të studentëve, të cilët marrin 140 denarë në ditë për ushqim, dhe çmimeve të përballueshme që deputetët kanë në dispozicion në restorantin e Kuvendit.
“Nuk kërkojmë ushqim falas. Nuk kërkojmë trajtim të veçantë dhe as shpenzime shtesë nga buxheti i Kuvendit. Kërkojmë vetëm që, për një ditë, studentët të kenë qasje në të njëjtat çmime që përfaqësuesit e tyre i kanë në dispozicion çdo ditë”, thuhet në kërkesë.
Sipas Forumit, publikimi i çmimores së restorantit të Kuvendit, për të cilën pati edhe një aksion gueril para pak ditëve, ka nxjerrë në pah dallimin ndërmjet përfaqësuesve të qytetarëve dhe atyre që përfaqësohen. Organizata njofton se tashmë ka kërkuar informacione zyrtare për financimin, shpenzimet dhe mënyrën e përcaktimit të çmimeve në këtë restorant.
“Natyrisht, nuk e kontestojmë të drejtën e deputetëve për të ngrënë drekë. Por konsiderojmë se është krejtësisht legjitime të pyesim përse çmimet e përballueshme për ushqim duket se janë më lehtë të qasshme për ata që vendosin për standardin studentor, sesa për vetë studentët”, thekson Forumi.
Organizata thotë se do të marrë përsipër koordinimin e studentëve dhe respektimin e procedurave organizative dhe të sigurisë. Nëse 27 nëntori nuk është datë e përshtatshme, shprehet e gatshme të dakordohet për një datë tjetër.
Forumi pret përgjigje zyrtare dhe kërkon që, në rast refuzimi, Kuvendi t’i paraqesë arsyet konkrete dhe bazën ligjore ose organizative.
“Zoti Kryetar, Kuvendi është shtëpia e qytetarëve. Kërkojmë që më 27 nëntor, dyert e kësaj shtëpie të mos përfundojnë te hyrja e restorantit”, përfundon kërkesa.
I pyetur nga Portalb.mk në brifingun e sotëm me gazetarët, Afrim Gashi tha se nuk e ka parë ende këtë kërkesë nga FNA-ja.
“Kur ta shoh, do shikojmë se si janë kushtet për të pranuar një numër të studentëve në bufenë e Kuvendit. Do të ishte kënaqësi t’i pres studentët”, tha Gashi.
Kjo nismë vjen pasi Forumi për Ndryshime në Arsim ngriti padi kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke e akuzuar për mosrespektim të Ligjit për racionin e subvencionuar studentor, përkatësisht për mosharmonizimin e shumës me normën vjetore të inflacionit.
Çështja shkaktoi edhe polemika ndërmjet kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Blendit Hodai, drejtuesit të Forumit për Ndryshime në Arsim. Mickoski i cilësoi komentet si të pahijshme dhe fyese ndaj tij dhe ministres së Arsimit si profesorë universitarë. Hodai iu kundërpërgjigj se fyerje ndaj studentëve është mospagimi i shumës që, sipas tij, u takon.
Shujta studentore ka qenë temë diskutimi edhe gjatë muajve të fundit. Studentët kanë kërkuar që shuma ditore të rritet nga 140 në 200 denarë, ndërsa Qeveria ka propozuar një model të ri, sipas të cilit studentët do të përfitonin vauçerë elektronikë në vlerë prej 4.500 denarësh në muaj. Për këtë propozim janë zhvilluar bisedime me përfaqësuesit studentorë, por zgjidhja ende duhet të rregullohet përmes ndryshimeve ligjore.