“Hajde rren hajde”, Kasami për thirrjet e Ahmetit për hetim të funksionarëve: Populli nuk i pranon më këto manipulime (VIDEO)

Kryetari i Lëvizjes Besa – Bilall Kasami, sot përmes një konference për shtyp ka reaguar në lidhje me thirrjet e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim – Ali Ahmetit, për hetim të funksionarëve të BDI-së. Kasami thotë se këto manipulime të Ahmetit, populli nuk i pranon më, shkruan Portalb.mk.

“Sikur nuk i mjaftoi hetimi që bënë miqtë tanë amerikan dhe nxjerrja në pah e keqpërdorimeve të Ramiz Merkos, Ali Ahmeti na mbajti ligjërata edhe dje, duke thënë se, Merkoja duhet të hetohet nga prokuroria. Dhe sikur edhe kjo të mos mjaftonte, Ahmeti e tha të njëjtën gjë edhe për nipin e tij Drin Ahmetin i cili na u bë milioner brenda natës, por se dinte i ngrati se si ndodhi kjo. Thjesht dikush i paska bë dhuratë. Hajde rren hajde. Zotëri Ahmeti, nëse i mbyllni sytë nuk do të thotë se nuk ju sheh askush, por ju nuk shihni askënd. Populli nuk i pranon tashmë këto manipulime”, tha Kasami.

Ai tha se Prokuroria të cilës i referohet Ahmeti, drejtohet nga shërbëtor i tij.

“E keni fjalën për atë të cilën e udhëheq Islami, i cili, njëjtë sikur nipi juaj Drini, nuk e dinte se si ka përfunduar nëpër shtëpitë tuaja duke bërë fotografi me ty dhe familjarët tuaj. Për cilën gjykatë e keni fjalën zotëri Ahmeti, për gjykatën të cilës, edhe pse udhëhiqet nga njerëzit tuaj të afërt ju vetë nuk i besoni, e lëre më që popullata as katër përqind nuk i beson? Kush do e hetojë Merkon dhe nipin tënd për korrupsion, Komisioni shtetëror i cili ka besim nga popullata ende më të ulët se sa  drejtësia?”, tha Kasami.

Ai kërkoi që Ahmeti dhe drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik të foton e nipit të tij me drejtorin, nëse është bërë para apo pasi e mori grantin prej 80.000 euro?

“Nëse jeni kaq të bindur për pastërtinë tuaj, atëherë jepni dorëheqje bashkë me Merkon dhe nipat tuaj, dhe hapni rrugë hetimit të mirëfilltë”, tha Kasami.

Kujtojmë që së fundmi, kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko u shpall non-grata Departamenti Amerikan i Shtetit për korrupsion.

Ndryshe, Drin Ahmeti është djali i vëllait të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Ai u bë i njohur në opinion pasi që në media u publikua informata se ai, bashkë me disa partnerë nga Shqipëria (Firma PE-VLA-KU SH.P.K.me pronar Vladimir Pjetërgjokaj), e kanë blerë qendrën tregtare në Shkup “Soravia”, e cila paraprakisht ka qenë në pronësi të dy firmave austriake.

Pas reagimeve të shumta në opinion, Drin Ahmeti bashkë me përfaqësues të firmave nga Shqipëria dhe ish pronarit të “Soravia” mbajti konferencë për shtyp ku njoftoi se, partnerët nga Shqipëria do të kenë 51% të aksioneve, ai 39% dhe pronari i deritanishëm Hano Soravia 10%.

Për sa para është shitur nuk dihet, por dihet që “Soravia” para se të shitej ka pasur borxh 20 milionë euro, dhe atë borxh, do ta marrin pronarët e rinj.

Drin Ahmeti është pronar i tre firmave “Thor Industries”, “Everest JD” dhe “Potan Plant”. Ai është dhe bashkëpronar me vëllain e tij Besian Ahmeti djalin e Ali AhmetitShkumbin Ahmeti në firmën “HeliosPlant.

Everest JD” ka koncesion aktiv për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në lokalitetin “Bukoviq” në Zajaz, që sipas opozitës është fituar në kohën e pushtetit LSDM-BDI. Por, kjo firmë, merret edhe me ndërtimin e objekteve të inxhinierisë civile dhe ka licencë për hidrocentral. “HeliosPlant” dhe “Potam Plant” janë firma për prodhimin e rrymës.

Opozitarja VMRO-DPMNE gjithashtu akuzoi se më 10 maj të vitit 2022 dy firmat e Drin Ahmetit “Thor industries” dhe “Everest JD” kanë fituar 82 mijë euro të holla shtetërore për bashkëfinancim të inovacioneve nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, në kohën kur me këtë institucion udhëheqë kuadri i BDI-së, Festim Halili.

Xhaxhai i DrinitAli Ahmeti, ka premtuar se nuk do ta amnistojë dhe strehojë nëse ka bërë shkelje ligjore dhe i ftoi organet të hetojnë.

Antikorrupsioni ka hapur procedurë për lëshimin e lejes për hidrocentralin. Pavarësisht thirrjeve për hetim nga të gjitha anët, Prokuroria ende nuk ka hapur ndonjë procedurë.