Gjykata Supreme e refuzoi kërkesën, Gruevski nuk i shpëton dënimit me burg për “Parcelat në Vodno”

Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit për rastin “Parcelat në Vodno”. Me këtë vendim ai ka shterur të gjitha mjetet juridike për këtë rast dhe nëse kthehet do të duhet të vuajë dënimin me nëntë vjet burg me të cilin ishte dënuar për herë të fundit nga Gjykata e Apelit, transmeton Portalb.mk.

Këshilli për vepra penale pranë Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e mbajtur më 20.12.2023, vendosi për kërkesën e parashtruar për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë në rastin KVP-KOK2-16/23 i njohur në publik si “Parcelat në Vodno”.

“Këshilli për vepra penale në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka sjellë Aktgjykim me të cilin, kërkesa e Nikolla Gruevskit për shqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore Penale Shkup KOK nr. 63/21 të datës 21.04.2022 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit Shkup KOKZh nr. 127/22 të datës 14.02.2023, e refuzoi si të pabazuar” njoftoi sot pasdite Gjykata e Lartë.

Ndonëse nuk u mbulua për këtë rast dhe për këtë vepër penale me abolimin e ish-presidentit, Gjorge Ivanov, megjithatë, meqenëse ishte përfshirë në pretendimet e kërkesës, Gjykata Supreme u deklarua edhe për të.

Ashtu si në lëndën “Transportuesi”, gjykata konstatoi se falja e dhënë nuk prodhoi efekt juridik.

Përveç Gruevskit, në rastin “Parcelat në Vodno” fajtor është shpallur edhe kushëriri i tij, ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov. Ai mori dënim me burg prej një viti e tre muaj nga Gjykata Penale, i cili më pas u ndryshua në një dënim me kusht nga Apeli.

Me një vit burg në “Parcelat në Vodno” është dënuar edhe biznesmeni Jordan (Orce) Kamçev, ndërsa me kusht nëna e tij Ratka Kunovska-Kamçeva, si dhe Risto Novaçevski dhe Nenad Josifoviq.

Sipas akuzës së rastit në fjalë, Gruevski nga viti 2006 deri në vitin 2012, si kryetar i VMRO-DPMNE-së, donacionet partiake që i ka marrë, personalisht ose nëpërmjet komiteteve komunale, i ka mbajtur për vete, kështu që ka mbledhur 1.3 milion euro.

Nga tetori i vitit 2012-të deri në shtator të vitit 2013, paratë i ka harxhuar duke blerë tokë ndërtimore në Vodno, më saktësisht në pjesën mbi Panorama, gjegjësisht në vendin e quajtur Sherbetnica. Gjithashtu në akuzë thuhet se Gruevski ka pasur edhe dy banesa të fshehta në ndërtesën në Bihaçka, në banesën ku ka jetuar përpara se të arratiset.