Arsimtarët në shkollat fillore të Tetovës pa rroga për shkak gabimeve teknike, rrogat pritet t’i marrin ditët në vijim

Mësimdhënësit e shkollave fillore të Komunës së Tetovës nuk e kanë marrë ende rrogën për muajin nëntor. Kjo për shkak të disa gabimeve teknike që kanë bërë sekretarët e disa shkollave, dhe kështu kanë bllokuar edhe shkollat e tjera. Disa mësimdhënës për Portalb.mk u ankuan për këtë problem. Ndërkaq, Komuna e Tetovës tha se gabimi është përmirësuar dhe se deri në fund të javës mësimdhënësit do t’i marrin rrogat, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk bisedoi me disa mësimdhënës nga disa shkolla të ndryshme të Tetovës, ata na konfirmuan se rroga nuk kanë marrë ende.

Madje sot në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi” mësimdhënësit në shenjë proteste nuk kanë mbajtur orët e para, ndërkaq më pas kanë vijuar me mësimin.

Portalb.mk ishte te kjo shkollë dhe bisedoi me drejtoreshën Sihana Kaba Kasami. Ajo tha se siç u është kumtuar, kjo ngatërresë është bërë për shkak të disa sekretarëve të shkollave të cilët janë të rinj në punën e tyre dhe kanë bërë disa lëshime në buxhetin e shkollave, veçanërisht nga kjo që do të jepet regresi.

“Kështu një problem i vogël e ngatërron të gjithë punën në Komunën e Tetovës. Komuna nuk ka gisht në këtë punë, por është problemi i shifrave, numrave, tabelave që janë dërguar në Ministri të Arsimit. Sot (Këshilli Komunal) ka pasur një seancë të jashtëzakonshme mu për këtë punë. Besojmë që deri ditën e premte rroga do të ketë”, tha Kaba Kasami.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se nuk ka informata se ka pasur bojkot dhe se nuk sheh arsye që të ketë bojkot, pasi vetë shkollat kanë bërë gabimin gjatë propozimit, sepse propozimi për rebalancin e buxhetit vjen nga vetë shkollat, dhe se gabimet janë përmirësuar.

“Bëhet fjalë për gabim gjatë procedurës së përpilimit të buxhetit në rebalancin e fundit të buxhetit të cilin e kaluam në Këshill (Komunal). Si procedurë veç më ka kaluar sot në një mbledhje online të organizuar nga Këshilli i Komunës së Tetovës, ai gabim është përmirësuar dhe vazhdojnë procedurat me Thesarin e shtetit për procedimin e pagave të shkollave fillore dhe besoj që nga nesër – pasnesër kjo çështje të jetë e mbyllur”, tha Kasami gjatë promovimit të rikonstruimit të rrugës “Jadranska”.

Reagoi edhe këshilltari komunal nga Bashkimi Demokratik për Integrim Liridon Disha.

“Sot e mbajtëm mbledhjen urgjente të Këshillit Komunal për rebalanc të buxhetit për arsye se disa Shkolla Fillore kanë dërguar përllogaritje të gabueshme të buxhetit vjetor. Pasi që shkollat janë nën kompetencat e Komunës së Tetovës, faji për vonesën e rrogave të mësimdhënësve bie direkt mbi Komunën. Sot e kaluam këtë pikë dhe me rebalancin e ri kjo çështje u zgjidh. Pritet që brenda ditëve të lëshohen rrogat e punëtorëve të arsimit”, informoi Disha.

Përndryshe, drejtoresha e shkollës “Kirili dhe Metodi” tha se zakonisht rrogat janë vonuar nga dy-tre ditë, edhe pse rrogat janë të parapara të merren me datë 15, ajo tha se i kanë marrë edhe me 17 dhe 18, madje ka pasur rast kur edhe me datë 26 kanë marrë rrogë.