Gjykata e Apelit do të legalizonte korrupsionin politik me vendimin në rastin “Talir 2”, vlerësoi Lençe Ristoska

Prokurorja Lençe Ristoska, e cila ishte prokurore në rastin “Talir 2”, për të cilin juridiksioni i saj u hoq pothuajse para përfundimit të gjyqit, reagon se sipas shpjegimit të lirimit nga akuzat në rastin “Talir 2” të publikuar nga Apeli, lirimi nga akuzat për Nikolla Gruevskin nuk është dhënë për shkak të mungesës së provave, por për shkak të interpretimit të gjykatës që nuk gjen mbështetje ligjore në ligje, raporton Kolegium, përcjell Portalb.mk.

Më 26 gusht, Gjykata e Apelit në Shkup njoftoi se kishte mbështetur lirimin nga akuzat në rastin “Talir 2”, në të cilin Gruevski u ndoq penalisht për tejkalim të autoritetit zyrtar dhe financim të paligjshëm të ndërtimit të selisë së partisë, “Pallati Hristo Tatarçev”, i njohur edhe në publik si “Pallati i Bardhë”.

Sipas Ristoskës, nëse argumenti i Gjykatës së Apelit do të pranohej si standard ligjor, “kjo do të çonte në një situatë absurde të legalizimit të korrupsionit politik, në mënyrë që çdo kompani që fiton tendera shtetërorë t’ua transferojë një pjesë të fitimit partive politike, duke e paraqitur atë si donacion, dhe e gjithë kjo nuk do të ishte e dënueshme sepse do të kishte praktikë gjyqësore që e lejon këtë. Kjo shkel rëndë thelbin e ligjit dhe e bën atë plotësisht të papërdorshëm për pikën më të ndjeshme që supozohet të trajtojë, që është financimi i partive politike nga kompanitë që marrin fonde buxhetore”.

Ndryshe, Gjykata e Apelit në Shkup e konfirmoi në muajin gusht aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore Penale Shkup për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski në rastin „Talir 2“, i cili ka të bëjë me financimin dhe ndërtimin e selisë së VMRO-DPMNE-së.

Lënda “Talir 2” u rihap pas vendimit të Gjykatës së Apelit të janarit 2024, kur aktgjykimi i shkallës së parë u anulua për shkak të ndryshimeve të Kodit Penal. Në gjykimin e parë, në vitin 2022, Gruevski ishte dënuar me gjashtë vjet burg me aktgjykim jo të formës së prerë, por procedura u kthye në rigjykim.

Selinë e VMRO-DPMNE-së e ndërtoi kompania e ndërtimit “Beton”, e cila tashmë ka falimentuar. Në atë periudhë, kompania fitonte tenderë, ndërsa, në kundërshtim me ligjin, VMRO-DPMNE kishte përfituar më shumë se tetë milionë euro.

Ndryshe, Nikolla Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur u dënua me dy vjet burg pas aktgjykimit të formës së prerë në rastin “Tanku”. Gruevskit iu dha azil në Hungari bazuar në pretendimet se ishte i persekutuar politikisht nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev. Në Hungari ai arriti në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar nëpër tre vende të Ballkanit me makina me targa hungareze, përpara se të fluturonte për në Budapest nga aeroporti i Beogradit me një aeroplan qeveritar. Në vitin 2019 gjykata në Hungari zyrtarisht e hodhi poshtë kërkesën për ekstradim nga autoritetet e Maqedonisë. Pasuan edhe kërkesa të tjera, por Budapesti zyrtar i hodhi poshtë të gjitha përpjekjet e autoriteteve maqedonase për ta kthyer të arratisurin në atdheun e tij.