Prona e konfiskuar e Gruevskit në rastin “Parcelat në Vodno” së shpejti del në shitje

Pasuria e ish-kryeministrit dhe ish-liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, e konfiskuar me aktvendim të formës së prerë është në shitje, njoftoi Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar, transmeton Portalb.mk.

Në njoftimin e Agjencisë në profilin e saj zyrtar në Facebook, që nis me slloganin “Drejtësia për të gjithë”, thuhet se bëhet fjalë për banesa, apartamente dhe tokë ndërtimore.

Nga atje thonë se me hyrjen në procedurat qeveritare ka filluar kthimi i mjeteve në buxhetin e shtetit nga pasuria e konfiskuar e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Bëhet fjalë për dy banesa që ndodhen në rrugën Bihaqka, njëra prej 65m2, tjetra 44m2 në Kisella Voda 1, të konfiskuara me aktgjykim të formës së prerë III KOK nr.63/21 nga Gjykata Themelore Penale Shkup. Krahas këtyre dy banesave janë konfiskuar edhe tre banesa në “Panorama Residence”, toka ndërtimore në Qendër dhe toka ndërtimore në Norovë, të cilat po ashtu do të vihen në shitje në një kohë sa më të shkurtër”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Agjencisë së menaxhimit të pasurive të patundshme.

Bëhet fjalë për pronën që i është konfiskuar Gruevskit me aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup për rastin “Parcelat në Vodno”, të cilën e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit Shkup.

Krahas konfiskimit të pasurisë kriminale, ish-kryeministri u dënua edhe me shtatë vite burg, të cilat Apeli ia shtoi edhe dy vite të tjera.

Gruevski u dënua për dy vepra penale në rastin “Parcelat në Vodno”: shpëlarje parash dhe përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ndaj të cilit janë në pritje disa çështje gjyqësore, në vitin 2018, pas shpalljes së dënimit me burg për rastin “Tanku”, për blerjen e “Mercedesit” luksoz, u arratis në Hungari ku mori azil. Autoritetet maqedonase kanë lëshuar një fletarrest ndërkombëtar për të.

Përveç Gruevskit, në rastin “Parcelat në Vodno” fajtor është shpallur edhe kushëriri i tij, ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov. Ai mori dënim me burg prej një viti e tre muaj nga Gjykata Penale, i cili më pas u ndryshua në një dënim me kusht nga Apeli.

Me një vit burg në “Parcelat në Vodno” është dënuar edhe biznesmeni Jordan (Orce) Kamçev, ndërsa me kusht nëna e tij Ratka Kunovska-Kamçeva, si dhe Risto Novaçevski dhe Nenad Josifoviq.

Ndryshe, ish-kryeministri Nikolla Gruevski përmes avokatit të tij Dimitar Dangov në mesin e korrikut të këtij viti ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Supreme për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë në rastin “Parcelat në Vodno”.

Gjykata e Lartë ende nuk ka vendosur për këtë kërkesë.

Në gusht të këtij viti, Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara ka publikuar një njoftim ku një pjesë e pasurisë së konfiskuar e ish-drejtorit të Sigurisë dhe Kundërzbulimit Sasho Mijalkov për rastin “Perandoria” ishte paraqitur për shitje dhe ankandi ishte caktuar për 25 gusht.

Në fillim të shtatorit u njoftua se Agjencia ka arritur t’i shesë gjithsej tri prona të konfiskuara Mijalkovit.

Sipas akuzës së rastit në fjalë, Gruevski nga viti 2006 deri në vitin 2012, si kryetar i VMRO-DPMNE-së, donacionet partiake që i ka marrë, personalisht ose nëpërmjet komiteteve komunale, i ka mbajtur për vete, kështu që ka mbledhur 1.3 milion euro.

Nga tetori i vitit 2012-të deri në shtator të vitit 2013, paratë i ka harxhuar duke blerë tokë ndërtimore në Vodno, më saktësisht në pjesën mbi Panorama, gjegjësisht në vendin e quajtur Sherbetnica. Gjithashtu në akuzë thuhet se Gruevski ka pasur edhe dy banesa të fshehta në ndërtesën në Bihaçka, në banesën ku ka jetuar përpara se të arratiset.