Deputetët të votojnë me ndërgjegje ligjin për lojërat e fatit në të kundërtën do të ketë protesta të ashpra, paralajmëroi Antibixhozi

Lëvizja Antibixhoz ka sot ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut që të votojnë me ndërgjegje për propozim-ligjin për lojërat e fatit, në të kundërtën ata paralajmëruan protesta të ashpra, transmeton Portalb.mk.

Jushi Emurllai nga kjo lëvizje apeloi te deputetët që të jenë shumë të ndërgjegjshëm rreth propozim-ligjit që tash duhet të hyjë në Kuvendin e Maqedonisë ë Veriut dhe të jenë të ndërgjegjshëm për votimin e këtij ligji.

“Përndryshe do përballen me shumë protesta të ashpra nga qytetarët, pasi kjo kërkesë nuk është që ne si Lëvizje Antibixhoz e kemi kërkuar por kjo një propozim i vetë Qeverisë dhe Kuvendit të RMV-së që nga diku do të fillon. Prandaj ne këtij ligji i kemi dhënë dritë jeshile që të mund të kalon në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Prandaj apelojmë edhe njëherë se 10 mijë punëtorët që janë nëpër lojërat e fatit, nesër do të bëhen 100 mijë, sa nuk është bërë vonë që ata nesër të mbyllen të gjithë lojërat e fatit që janë rreth objekteve shkollore në RMV”, tha Emurllai .

Ai theksoi se janë pro këtij ligji edhe pse nuk i plotëson kërkesat e Lëvizjes Antibixhoz, por se më në fund pas shtatë viteve vjen një ligj në interes shoqëror dhe në interes të popullatës.

Propozim ligji për lojërat e fatit ku parashihet që hapësirat afariste, gjegjësisht vendet për pagesë në të cilat organizohen lojërat e fatit të jenë në largësi jo më pak se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme është në procedurë parlamentare, konkretisht në lexim të dytë. Ky ligj, ngjalli reagime të shumta në opinion.

Në lidhje me referendumin e paralajmëruar për dislokimin e kazinove nga vendbanimet, Emurllai tha se kanë pak ngecje për shkak të takimeve me ministrin e Drejtësisë dhe atë të Pushtetit lokal, ku kanë kërkuar që të ulet censusi.

“Për referendumet është 50+1 dhe për zgjedhje është 35%, prandaj është vonuar, janë pritur ndryshimet kushtetuese ka zgjedhje, prandaj ne e kemi shtyrë referendumin në afat të pacaktuar. Referendumi do të realizohet në Komunën e Tetovës si fillim dhe në të gjithë Maqedoninë e Veriut”, tha Emurllai .

Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.