“Talir 1” dhe “Titanik”, betejat e fundit për rastet e PSP-së, partia dhe ish-zyrtarët e VMRO-së ende në bankën e të akuzuarve
Në Gjykatën Penale mbeten edhe dy lëndë që lidhen drejtpërdrejt me partinë në pushtet – “Titanik”, për mashtrime zgjedhore, dhe “Talir 1”, për financim të paligjshëm të partisë. Lirimi nga akuzat i Nikola Gruevskit në rastin “Talir 2” dhe lirimi i gazetarit Dragan Pavloviq-Llatas në rastin “Total” u panë si fundi simbolik i një epoke – epokës së lëndëve të hapura nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), shkruan Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.
Me këto vendime ranë edhe pritshmëritë e fundit për konfiskimin e pasurisë së VMRO-DPMNE-së dhe për përgjegjësi penale të një pjese të ish-udhëheqjes së partisë. Megjithatë, historia nuk ka përfunduar ende. Në Gjykatën Penale vazhdojnë edhe dy procese që lidhen drejtpërdrejt me partinë në pushtet – “Titanik”, që ka të bëjë me mashtrimet zgjedhore, dhe “Talir 1”, që ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për në shtator. Edhe pse, për shkak të ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023, në këtë rast është parashkruar vepra penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, prokurorja Lençe Ristoska, e cila e ka udhëhequr rastin, ka qenë e prerë se VMRO-DPMNE mund të ndiqet penalisht për pastrim parash.
“Në këtë rast konkret ka ndodhur vjetërsimi i veprës penale bazë, përkatësisht ‘keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar’, për shkak të skadimit të afateve ligjore dhe ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023. Megjithatë, pavarësisht parashkrimit të veprës bazë, në përputhje me ligjin dhe praktikën gjyqësore, nuk ka pengesa që të vazhdohet ndjekja për pastrim parash, për të cilën vjetërsimi ndodh në vitin 2035. Të gjithë të akuzuarit për keqpërdorim janë akuzuar edhe për pastrim parash. Vetëm për dy prej tyre është parashkruar vepra bazë, ndërsa për të gjithë të tjerët procesi vazhdon, përfshirë edhe për këta dy lidhur me akuzën për pastrim parash. Bëhet fjalë për Nikola Gruevskin dhe Kirill Bozhinovskin”, kishte deklaruar Ristoska në një nga seancat para se të jepte dorëheqje.
Ajo nuk hoqi dorë nga ndjekja penale e partisë, duke argumentuar se për veprimet e kryera në periudhën 2010–2015, përkatësisht për pastrim parash, parashkrimi absolut ndodh pas 20 vjetësh. Lënda tani udhëhiqet nga prokurorja Engjellushe Kadriu-Leshi.
Përveç ish-sekretarit të përgjithshëm Kirill Bozhinovski dhe vetë partisë, në bankën e të akuzuarve ndodhen edhe ish-funksionarë të VMRO-DPMNE-së, përfshirë ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, ish-shefin e kabinetit të tij Martin Protugjer, Kirill Bozhinovskin, Ilija Dimovskin dhe Edmond Temellkon, të cilët vazhdojnë të gjykohen për mashtrime zgjedhore.
Lënda gjykohet nga gjyqtarja Vaska Nikollovska-Masevska që nga viti 2024. Edhe pse në janar të këtij viti ajo u transferua nga Departamenti për Krim të Organizuar në Departamentin Penal për të Rriturit, me vendim të kryetares së re të gjykatës Danijela Dimovska, ajo vazhdoi ta gjykojë këtë rast, të cilin e ndau në tri pjesë. Për dy pjesët e para, ish-nëpunës shtetërorë u dënuan me dënime me kusht, të cilat u konfirmuan nga gjykata e shkallës së dytë. Aktualisht po dëgjohen dëshmitarët e mbrojtjes, pasi më parë janë dëgjuar mbi 100 dëshmitarë të Prokurorisë.
Pas vendimit lirues për Gruevskin dhe refuzimit të kërkesës për konfiskimin e pasurisë së partisë, Gjykata Penale publikoi një sqarim të gjatë, duke theksuar se vendimi ishte pasojë e ndryshimeve të Kodit Penal, por edhe e faktit se Prokuroria nuk kishte arritur ta provonte akuzën përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Një ditë më vonë, gjykata publikoi një tjetër komunikatë, me të cilën njoftoi se gazetari Latas ishte liruar në rastin “Total”, duke theksuar me shkronja të mëdha se prokurori ishte tërhequr tërësisht nga aktakuza, pa përmendur se lënda ishte parashkruar pasi gjykata kishte urdhëruar një superekspertizë – fakt që e bëri publik Prokuroria.
“Edhe pse prokurorja publike Marija Xhabirova-Vellkov deklaroi se mbetej pranë fjalëve hyrëse të paraqitura gjatë shqyrtimit kryesor, ajo u detyrua të rikualifikojë akuzën pikërisht për shkak të gjetjeve të superekspertizës, çka solli edhe parashkrimin absolut që nga 15 marsi 2024”, sqaroi Prokuroria.
Për këto raste, kryetarja e Gjykatës Penale Danijela Dimovska dhe prokurori publik i shtetit Nenad Saveski u përfshinë në një debat publik përmes komunikatave, duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit për vendimet lirues. Dimovska e forcoi pozitën e saj më 4 korrik, kur u zgjodh unanimisht kryetare e Gjykatës Penale. Pikërisht Saveski kishte reaguar ashpër ndaj emërimit të saj si ushtruese detyre, pasi ajo ishte renditur e njëmbëdhjeta sipas vlerësimit dhe jo e para.
Megjithatë, shumica e lëndëve kyçe të PSP-së janë parashkruar, kryesisht si pasojë e ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023. Kështu dështoi edhe rasti “Target-Fortesa”, që kishte të bënte me përgjimet masive të paligjshme, ndërsa pasuria e partisë është gjithnjë e më pranë kthimit në duart e VMRO-DPMNE-së.
Prokuroria Speciale Publike u formua në vitin 2015, pas publikimit të bisedave të përgjuara, të njohura si “bombat”, të cilat ngritën dyshime për përgjime të paligjshme, keqpërdorim të pushtetit, parregullsi zgjedhore dhe korrupsion në nivelet më të larta politike.
Gjatë katër viteve të funksionimit, PSP hapi 18 hetime dhe ngriti aktakuza në më shumë se 20 raste kundër ish-funksionarëve, biznesmenëve dhe personave juridikë.
Ndër rastet më të rëndësishme ishin “Target-Fortesa” për përgjimet masive të paligjshme, “Titanik” për mashtrimet zgjedhore, “Talir” për financimin e paligjshëm të një partie politike dhe “Talir 2” për ndërtimin e selisë së VMRO-DPMNE-së, e njohur si “Pallati i Bardhë”.
PSP hapi gjithashtu rastet “Total” kundër gazetarit Dragan Pavloviq-Latas, “Trust” për tenderë të paligjshëm, “Tortura” për arrestimin e Ljube Boshkovskit, “Thesari” për furnizimet në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, si dhe raste të tjera që lidhen me funksionarë të lartë shtetërorë.
Pas shuarjes së PSP-së në vitin 2020, të gjitha lëndët u morën nga Prokuroria Publike dhe vazhduan në Gjykatën Penale të Shkupit. Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre u prek nga ndryshimet e Kodit Penal në vitin 2023, me të cilat u ulën dënimet për disa vepra penale, duke çuar në parashkrimin e shumë akuzave, përfshirë edhe disa nga rastet më të mëdha.