Apeli liroi Nikolla Gruevskin në rastin „Talir 2“, selia do t’i kthehet VMRO-së
Gjykata e Apelit në Shkup e konfirmoi aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore Penale Shkup për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski në rastin „Talir 2“, i cili ka të bëjë me financimin dhe ndërtimin e selisë së VMRO-DPMNE-së, transmeton Portalb.mk.
„Gjatë procedurës, Prokuroria Themelore Publike Shkup, si prokuror i autorizuar, nuk dëshmoi përtej dyshimit të arsyeshëm se GP Beton kishte cilësinë e subjektit i cili, në momentin e lidhjes së marrëveshjeve me partinë politike, kryente shërbime publike në kuptim të ligjit të lartpërmendur, kështu që nuk kishte ndalesë ligjore për dhurimin e mjeteve nga ana e tij ndaj partisë politike, e as nuk ekzistonte detyrim i të akuzuarit, si person përgjegjës i partisë politike, që t’i kthente ato mjete“, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit në Shkup.
Ndryshe, vendimi, përkatësisht aktgjykimi i Apelit, është përfundimtar dhe i ekzekutueshëm. Ai vjen vetëm pesë ditë para 31 gushtit, kur skadon plotësisht parashkrimi i veprës penale për të cilën akuzohej Gruevski në këtë lëndë.
Me plotfuqishmërinë e aktgjykimit lirues për Gruevskin, VMRO-DPMNE-ja nuk duhet të shqetësohet më se selia e saj do të konfiskohet, pasi ajo për vite me radhë ishte e ngrirë gjatë kohës që zhvillohej procesi gjyqësor për rastin „Talir“.
Shtatë vjet gjykim
Rasti u gjykua në dy raste. Atë e hapi ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP), ndërsa pas shuarjes së saj e mori përsipër Prokuroria Themelore Publike Shkup. Para Gjykatës Penale e përfaqësonte ish-prokurorja Lençe Ristovska, pasi ish-prokurorët e PSP-së u kthyen në prokuroritë e tyre amë.
Ristovska, e cila njëkohësisht ishte edhe prokurore në Zyrën Ndërlidhëse me Eurojust-in, u ngarkua ta drejtonte rastin, i cili në vitin 2022 rezultoi me një dënim me gjashtë vjet burg për Gruevskin, ndërsa ish-sekretari i përgjithshëm Kirill Bozhinovski u dënua me kusht. Sipas aktgjykimit të atëhershëm, ende të plotfuqishëm, të Gjykatës Penale, duhej të konfiskohej pasuria e VMRO-DPMNE-së, përfshirë selinë e partisë dhe rreth 30 prona të tjera.
Por, Apeli, pas procedurës së ankesës, në vitin 2024 e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Penale dhe e ktheu rastin për rigjykim në Gjykatën Themelore Penale. Gjykata e shkallës së dytë iu referua ndryshimeve kontroverse të nenit 353 të Kodit Penal, të miratuara në vitin 2023. Me ndryshimet ligjore, ndërkohë u parashkrua vepra penale e keqpërdorimit të pozitës zyrtare për Kirill Bozhinovskin, ndërsa procedura vazhdoi për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.
Tashmë ish-prokurorja e përfaqësoi rastin edhe në procesin e përsëritur gjyqësor, deri në prill të këtij viti, kur vendosi të japë dorëheqje. Ndërkohë, prokurori i ri publik shtetëror, Nenad Saveski, vendosi t’ua tërheqë autorizimet një pjese të prokurorëve në lëndët që ata i drejtojnë.
Dorëheqja e Ristovskës
Saveski dhe Ristovska hynë në një polemikë të hapur, pasi prokurori publik shtetëror në një deklaratë për mediat tha në atë kohë se lënda do t’i kishte mbetur prokurores nëse ajo nuk do të kishte dhënë dorëheqje. Ajo i mohoi këto pretendime të prokurorit publik, duke i vlerësuar deklaratat e Saveskit si plotësisht të pasakta, pasi si prokurore ndërlidhëse në Eurojust, në përputhje me nenin 5 të rregullores përkatëse, kompetenca e saj primare ishin vetëm lëndët e regjistruara në zyrën ndërlidhëse. Në rastin „Talir 2“, i cili, siç thotë ajo, nuk bën pjesë në këtë kategori, ajo kishte vepruar vetëm si përjashtim, përkatësisht në bazë të një vendimi dhe autorizimi të posaçëm nga prokurori publik shtetëror.
Disa muaj më vonë, përkatësisht më 14 korrik të këtij viti, Gjykata Penale në Shkup mori një vendim të kundërt me atë të katër viteve më parë dhe e liroi Gruevskin nga përgjegjësia, ndërsa Apeli sot e konfirmoi këtë aktgjykim.
Arsyetimi i Gjykatës Penale për aktgjykimin lirues
Gjatë shqiptimit të aktgjykimit të dytë, edhe Gjykata Penale iu referua ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023. Nga aty shpjeguan se Prokuroria e kishte ndryshuar veprimin e kryerjes së veprës penale nga „shfrytëzimi“ i pozitës zyrtare në „tejkalimin e autorizimeve dhe moskryerjen e detyrës zyrtare“. Përveç kësaj, ishte futur edhe „qëllimi“ si element i veçantë subjektiv.
„Pikërisht në bazë të këtyre provave të njëjta, kjo gjykatë një herë kishte marrë aktgjykim dënues për të akuzuarin e tanishëm N.G. dhe për Kirill Bozhinovskin, të cilëve si veprim për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimit zyrtar, u vihej në barrë se e kishin kryer atë duke shfrytëzuar pozitën dhe autorizimin zyrtar, që sipas Kodit Penal në fuqi në kohën e marrjes së aktgjykimit ishte një nga tre format e kryerjes së kësaj vepre penale. Megjithatë, me ndryshimin e dispozitivit të aktakuzës, të harmonizuar në përputhje me ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2023, të akuzuarit të tanishëm N.G. i ngarkohet se këtë vepër penale e ka kryer duke tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tij zyrtare dhe nuk e ka kryer detyrën e tij zyrtare, me qëllim që personit juridik – partisë politike VMRO-DPMNE t’i sigurohet përfitim i kundërligjshëm pasuror“, njoftoi më 14 korrik Gjykata Penale.
Duke komentuar në rrjetet sociale aktgjykimin e dytë të shkallës së parë të Gjykatës Penale, ish-prokurorja Lençe Ristovska tha se zhvillimi i ngjarjeve lidhur me rastin „Talir 2“ shkon në drejtim të vështirësimit të mundësisë që Prokuroria të kërkojë konfiskimin e pasurisë së VMRO-DPMNE-së në një procedurë të veçantë. Siç shpjegoi ajo, konfiskimi i pasurisë është i mundur edhe kur ndjekja penale parashkruhet, por nuk është i mundur pas një aktgjykimi lirues të plotfuqishëm.
Lënda “Talir 2” u rihap pas vendimit të Gjykatës së Apelit të janarit 2024, kur aktgjykimi i shkallës së parë u anulua për shkak të ndryshimeve të Kodit Penal. Në gjykimin e parë, në vitin 2022, Gruevski ishte dënuar me gjashtë vjet burg me aktgjykim jo të formës së prerë, por procedura u kthye në rigjykim.
Selinë e VMRO-DPMNE-së e ndërtoi kompania e ndërtimit “Beton”, e cila tashmë ka falimentuar. Në atë periudhë, kompania fitonte tenderë, ndërsa, në kundërshtim me ligjin, VMRO-DPMNE kishte përfituar më shumë se tetë milionë euro.
- LEXO: Prokuroria e ankimoi aktgjykimin për “Talir 2” me të cilin u lirua Gruevski, nëse brenda 25 ditësh gjykata nuk merr vendim lënda do vjetërsohet
- LEXO: “Talir 1” dhe “Titanik”, betejat e fundit për rastet e PSP-së, partia dhe ish-zyrtarët e VMRO-së ende në bankën e të akuzuarve
- LEXO: “Talir 2” përplasi kryeprokurorin Nenad Saveski dhe ish-prokuroren Lençe Ristoska
Ndryshe, Nikolla Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur u dënua me dy vjet burg pas aktgjykimit të formës së prerë në rastin “Tanku”. Gruevskit iu dha azil në Hungari bazuar në pretendimet se ishte i persekutuar politikisht nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev. Në Hungari ai arriti në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar nëpër tre vende të Ballkanit me makina me targa hungareze, përpara se të fluturonte për në Budapest nga aeroporti i Beogradit me një aeroplan qeveritar. Në vitin 2019 gjykata në Hungari zyrtarisht e hodhi poshtë kërkesën për ekstradim nga autoritetet e Maqedonisë. Pasuan edhe kërkesa të tjera, por Budapesti zyrtar i hodhi poshtë të gjitha përpjekjet e autoriteteve maqedonase për ta kthyer të arratisurin në atdheun e tij.