Gjuha e shpirtit dhe indiani

# Në një kohë të pakohë, kur po vritet njerëzorja dhe njerëzimi në Lindjen e Mesme, në Gaza, nga e cila duhet të turpërohemi të gjithë si lloj, pas disa ditëve të ngjeshura, obligimeve të shumta në universitet, intervistash për media, javën e kaluar (28 tetor-3 nëntor) arritëm të dalim pak jashtë lëkurës sonë, në një atmosferë ndryshe.

Falë Ministrisë së Kulturës dhe TEDA-s, një udhëtim dhe qëndrim jashtë si pjesë e ekipit që përfaqësoi vendin tonë (RMV) në Panairin e 40-të tradicional të librit të Stambollit, një nga më të mëdhenjtë në botë, ku afirmohen kultura, fjala dhe teksti i shkruar, mendimi, kreativiteti, vlerat sublime. Dhe nga Aeroporti (IGA) deri në hotelin dhe lokacionin e ngjarjes pesëditore (TÜYAP) që zgjati pak më tepër se një orë, ne pesëshja multi-kulti (3 shqiptarë, 2 maqedonas) po bisedonim hareshëm mes vete, herë shqip e herë maqedonisht (me dy kolegët maqedonas, njëri botues, tjetri shkrimtar). Shoferi i minibusit, dëgjonte, e neve na dukej se s’merrte vesh nga ajo që po flisnim.

Djathtas-mjatas dhe doli në një rrugë alternative, nëpër fusha e rrafshnalta, që na u duk pak si terse. Dhe njëri nga ne e  krahasoi me udhët anësore që të shpëtojnë nga trafiku urban i Shkupit, qytet ky larg këtij kaosi stambollas që të çmend. Me të arrirë para hotelit, turku na kërkoi falje që kishte dalë jashtë autostradës, u shpjegua se qëllimin e kishte pasur që të na kursente kohë. Mbetëm të shtangur. Ose përdorëm ndonjë fjalë turke gjatë bisedës, ose ishte shumë etik, i ndërgjegjshëm dhe kërkoi falje që ndryshoi rutën e zakonshme, ose me zemër i rroku gjuhët tona. E pyetëm se nga ishte, na tha që vinte nga trojet lindore të Turqisë ku jetojnë më tepër arabë e kurdë.

Pasi zbritëm klitha: “E shihni, gjuha nuk është vetëm fjalë e formë. Ajo është shumë më tepër se aq. Është një mjet universal komunikimi.” “Vërtet” – tha tjetri – “Po nga na mori vesh mor jahu? Ky s’e di asnjërën nga gjuhët që përdorëm!” Ka një gjuhë që është më e fuqishmja, gjuha e shpirtit. Profetët, shamanët, mjekët, mistikët dhe urtarët gjatë shekujve kanë theksuar se shpirti nuk flet gjuhën njerëzore. Gjuha njerëzore nuk ka mundësi që të kufizojë gjithë spektrumin e dijes së thellë. Ajo, si një urtësi e vetes sonë të brendshme, nuk limitohet vetëm me të dhëna të dukshme. I kapërcen të dhënat e forta (hard data), faktet dhe logjikën lineare. Është një urtësi jetëndryshuese. (thesoulmedic.com) Komunikimi shpirtëror është gjithnjë më i fuqishëm se ai gjuhësor.

# Gala mbrëmja e Panairit dhe në tavolinë kemi edhe një botues nga India, shumë ekstrovert, llafazan. Njoftohemi me të dhe në bisedë e sipër përmendim Nënë Terezën, Ferid Muratin. Ai  ndalet te Leka i Madh… Më pas bën një koment interesant, si në shaka: ju shqiptarët përmes këtyre dy nobelistëve keni afirmuar edhe dashninë e frymës, edhe atë të trupit. Dhe tregon se edhe vetë është autor i një libri për Nënë Terezën. Më pas kuptoi se përbërja jonë është maqedonas dhe shqiptarë. ”Sa harmonikë që jeni mes vete” – thotë.  Dhe vazhdon të na rrëfejë se me pakistanezët kur janë në Indi s’durohen fare mes vete, janë “dushmanë” dhe shënjestrojnë njëri-tjetrin, ama kur gjenden jashtë nënkontinentit indian, në Europë, Amerikë a diku tjetër u ec muhabeti si më mirë, si miq të pandarë, si vëllezër siamezë. Çudi! Si shpjegohet kjo? E njëjta përafërsisht ndodh edhe me ne në Ballkan.

Kur jemi në hapësirën ballkanike, s’bëjmë mes vete; kur takohemi jashtë sa bukur sillemi, komunikojmë e bëhemi grup më vete. Shembull është edhe ky yni në Stamboll. Njeriun e bën të afërt edhe gjeografia, afërsia hapësinore, sado që ta refuzojë ai këtë. Bashkëjetesa bën që njerëzit të huazojnë dhe të gjejnë shumë të përbashkëta te njëri-tjetri. Si bashkëshortët për të cilët thuhet se janë “dy armiq në një jastëk”. Aty me etniko-maqedonasit bëjmë shaka lidhur me “paliativen” e Arbër Xhaferit (2001) që i la pa tekst gazetarët, se’ kuptuan se ç’donte të thoshte, bisedojmë për nacionalizmat dhe nxitësit-ringjallësit e tyre gjithnjë të jashtëm (i atij rus Stalini-gjeorgjian, i arabizmit Mishel Eflak-grek, i ideologjisë serbomadhe Sheshelj-kroat). Njëri tregon një barcoletë se si dy vëllezër boshnjakë që kanë jetuar në Zagreb dhe Beograd, kur takohen, gjatë një loje shahu shajnë njëri tjetrin për “nënën ustashe” e tjetri për atë “çetnike”, a të dy të nga mishi dhe kocka e njëjtë.

Ndërkohë shpjegova shehërliun e Maqedonisë të Burcu Akan Ellis-it nga libri Prejardhje hije, ndërsa Nenadi tregoi se si dikur si gazetar i gazetës “Borba” ka qenë në një ashensor me 4 kolegë dhe drejtori kishte thënë: “Borba me gjithë lexuesit e saj në një vend”. Azami me humorin e tij specifik flet për aventurën e tij me botimet dhe misionin e libërbërësit sot kur njerëzit lexojnë nga displeji. Sabiti tregon për të kaluarën e tij si përkthyes në Bondsteel dhe odiseadën e familjes së tij të shpërngulur qëmoti nga Gërçeci në Gazi Babë, për rekalillëkun e vet “në hije”. Aleksandri tregon për karrierën e tij si muzicien në një rock grup (VIS Idoli), për zhanrin e shkrimeve dhe librave të tij të publikuar edhe shqip nga “Fan Noli”. Dhe një ekces majeur i kohës së teknologjisë informatike, rënia e sistemit të aviokompanisë me të cilën udhëtuam na e zgjati qëndrimin për dy ditë. S’ka imunitet dhe paprekshmëri në kohën e krimeve kibernetike. Të gjitha fluturimet anulohen, ne sërish në hotel, ku vazhduam të lexojmë Rexhep Mejdanin, Globalizmi, integrimi dhe kombi shqiptar (2002) dhe përfunduam romanin e terapistes dhe filozofes hungarezo-spanjolle Anna Sólyom, Neko Café (2021), vepër kjo e përkthyer në 15 gjuhë për të cilën do t’ju shkruajmë në njërën nga kolumnat e radhës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.