ANALIZË:  Kërkesa për banesa ngadalësohet – a do të ulen çmimet në RMV? (Infografik)

Mbi 2.000 euro metri katror për një banesë të re në zonën qendrore të kryeqytetit. Çmimet e banesave vazhduan të rriten edhe këtë vit, por me ritme më të ngadalta krahasuar me vitin e kaluar. Tregu i patundshmërive tashmë po shfaq një tendencë të ngadalësimit të kërkesës për banesa, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Rritje e ofertës, ngadalësim i kërkesës për banesa…

“Na kontaktoni. Në zonën qendrore të qytetit të Shkupit shitet banesa prej 42 metrash katrorë për 93.000 euro” – është shpallja e publikuar së fundmi e një kompanie ndërtimore për ndërtimin dhe shitjen e banesave të reja.

Kjo do të thotë se çmimi për metër katror në pjesën qendrore të metropolit u afrua deri në 2.214 euro. Banesat janë shtrenjtuar në të gjitha qytetet e vendit.

“Banesë në qendër të Tetovës me çmim prej 1.049 euro për metër katror” – thuhet në shpalljen për shitjen e një banese.

Edhe këtë vit, çmimet e patundshmërive ishin vazhdimisht në rritje, si në nivel vjetor ashtu edhe në nivel tremujor. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në fund të tremujorit të tretë çmimet e patundshmërive (me përfshirje të territorit të qytetit të Shkupit) u rritën për 11% në bazë vjetore, ndërsa në krahasim me tremujorin e dytë rritja ishte 2,9% dhe ishte më e larta krahasuar me tremujorët e mëparshëm.

Përqindja vjetore e rritjes së çmimeve të banesave. Infografik nga Portalb.mk
Përqindja vjetore e rritjes së çmimeve të banesave. Infografik nga Portalb.mk

Krahasuar me vitin e kaluar, trendi i rritjes së çmimeve të banesave po ngadalësohet, por sipas të dhënave ato vazhdojnë të jenë në rritje. Sipas vlerësimeve të menaxherëve nga sektori i ndërtimit, ndryshimet e këtilla tektonike të çmimeve në tregun e patundshmërive janë rezultat i dy faktorëve – kërkesës dhe cunamit të çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë.

“Me përfundimin e krizës shëndetësore të Kovidit, kishte rritje të kërkesës për banesa. Ky faktor, i pasuar nga lufta në Ukrainë për shkak të së cilës u përballëm me rritje të çmimeve jo vetëm të ushqimeve, por edhe të energjisë, metaleve, materialeve, shkaktoi rritje të çmimeve të banesave. Por, tani në treg po ndodh një lloj stabilizimi i çmimeve, nuk presim që të zbresin” – komentojnë për “Portalb”-in nga një kompani ndërtimi që aktualisht po punon në mënyrë aktive jo vetëm në Maqedoni, por edhe jashtë vendit.

Në kushte të pasigurisë ekonomike dhe inflacionit, çmimet e larta të banesave patën një efekt dekurajues në kërkesën për banesa.

“Aktiviteti në treg filloi të ngadalësohej, gjë që vërehet përmes rritjes së ngadaltë të vëllimit të transaksioneve të patundshmërive. Në të njëjtën kohë, nga fundi i vitit 2022, vërehet një rritje e ngadaltë e çmimeve të banesave që mund të vërehet edhe në gjysmën e parë të vitit 2023, megjithëse ato janë ende në një nivel më të lartë. Lëvizjet në tregun e patundshmërive për momentin nuk tregojnë se ka rrezik për një korrigjim më të madh dhe të papritur të çmimeve, që do të mund të ndikonte në realizimin e rrezikut të kredisë në bilancet e bankave”, thuhet në raportin për Stabilitetin Financiar të Maqedonisë.

Por, rritja e ofertës dhe ulja e kërkesës kanë sjellë tashmë në ndryshimet e para – është ulur numri i lejeve të miratuara për ndërtim të lartë, gjegjësisht për ndërtesa. Konkretisht, në

RMV, është ulur numri i lejeve të miratuara për ndërtim të lartë. Infografik nga Portalb.mk
RMV, është ulur numri i lejeve të miratuara për ndërtim të lartë. Infografik nga Portalb.mk

Në gusht ishte planifikuar ndërtimi i 943 banesave, prej të cilave 527 ishin vetëm në Shkup. Në Rajonin e Pollogut ishte planifikuar ndërtimi i 45 banesave, në Rajonin e Pellagonisë 16, në Rajonin Juglindor 75, në Rajonin Jugperëndimor 224 banesa, në Rajonin Lindor 29 dhe në Rajonin e Vardarit 24 banesa.

Çfarë do të ndodhë në periudhën e ardhshme?

Sipas analizës së BPM-së, më tepër faktorë do ta përcaktojnë tregun e patundshmërive.

“Lëvizjet në tregun e patundshmërive për momentin nuk tregojnë për ekzistencën e rrezikut të një kthese ndoshta më të mprehtë të ciklit dhe për një korrigjim të shpejtë dhe të fortë në rënie të çmimeve, gjë që mund të ndikojë në likuiditetin e tregut dhe rrjedhimisht në likuiditetin e patundshmërive të lëna si hipoteka në banka. Gjithsesi, duhet pasur kujdes, sidomos nëse merret parasysh mjedisi ende i pasigurt dhe rritja e kostove të financimit, që mund të kufizojë qasjen në kredi bankare dhe nëpërmjet tyre edhe kërkesën e financuar për banesa”, thonë në BPM me një analizë se në periudhën e kaluar ka pasur rritje të kamatave për kreditë, gjë që mund ta rrisë cenueshmërinë e qytetarëve që tashmë janë duke i kthyer kreditë për banesa. BPM-ja thotë se do të monitorojë nga afër gjendjen e tregut të patundshmërive dhe rreziqet që lidhen me të.