Gjashtë muaj pa plan, Komuna e Kumanovës i harroi rrugët në “Orta Bunar”
Komuna e Kumanovës nuk tregon nëse ka arritur të sigurojë mjete financiare për rikonstruktimin e rrugëve “Karl Marks” dhe “Lube Gaçev” të njohura si lagja “Orta Bunar. Ky institucion nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske dhe injoron plotësisht nevojat dhe ankesat e qytetarëve. Procesi i rikonstruksioni të rrugëve vazhdon të zvarritet, duke i lënë rrugët në gjendje të mjerueshme, shkruan Portalb.mk.
Edhe pse janë ndër rrugët më të frekuentuarat dhe lidhin me rrugët kryesore të qytetit, për Komunën e Kumanovës ato mbeten të padukshme.
Qytetarët vazhdimisht janë ankuar për asfaltin e dëmtuar dhe gropat e mëdha që e vështirësojnë lëvizjen, pasi këto rrugë nuk mirëmbahen siç duhet, gropat mbushen vetëm përkohësisht dhe rikthehen në gjendjen e njëjtë, sidomos kur bie shi.
Ata kërkojnë urgjentisht rikonstruktimin e rrugëve të dëmtuara, të cilat prej vitesh janë lënë pas dore, duke vështirësuar qarkullimin, rrezikuar sigurinë dhe ndikuar negativisht në jetën e përditshme të banorëve.

Portalb.mk e pyeti Komunën e Kumanovës nëse është përgatitur dokumentacioni teknik për rikonstruimin e rrugëve “Karl Marks” dhe “Lube Gaçev”, si dhe a ka ndonjë afat konkret për realizimin e tyre, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.
Në janar 2025, Komuna e Kumanovës theksoi se për shkak të mungesës së burimeve financiare këto rrugë kanë mbetur pa u rikonstruar, ku komuna fillimisht do të planifikojë dhe do të përgatisë dokumentacionin teknik dhe pas marrjes së miratimit për rikonstruksion dhe sigurimin e burimeve financiare, në përputhje me programin vjetor, do të fillojë realizimin.
Kujtojmë se, me 12 korrik Komuna e Kumanovës prej mbi tetë muajsh thotë se po përgatitet dokumentacionin për rikonstruksionin e rrugës “Zona Industriale”. Edhe për këtë rrugë institucioni nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske. Ndërkohë, gjendja e rrugës përkeqësohet vazhdimisht, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë lëvizjen për banorët dhe afaristët e kësaj zone.
- LEXO: Rrugët në lagjen ‘Orta Bunar’ në Kumanovë plot gropa dhe dëmtime, komuna nuk e ka në plan t’i rregullojë
- LEXO: Banorët dhe afaristët në hall me rrugën e shkatërruar në “Zonën Industriale” në Kumanovë, komuna thotë se po bëhet projektimi
- LEXO: Tetë muaj premtime, asnjë pikë asfalt: Komuna e Kumanovës e la në gropa rrugën në Zonën Industriale