Banorët dhe afaristët në hall me rrugën e shkatërruar në “Zonën Industriale” në Kumanovë, komuna thotë se po bëhet projektimi

Rruga “Zona Industriale” e cila i lidh banorët me zonën industriale shumë të frekuentuar në Kumanovë lë shumë për të dëshiruar. Gropat e mëdha e bëjnë vozitjen shumë të pakëndshme kurse vozitësit i dëmojnë dhe automjetet. Banorët dhe afaristët kanë humbur durimin pasi, siç thonë, ka dekada që nuk është investuar asgjë në këtë rrugë, shkruan Portalb.mk. Ata në muajin maj me anë të një peticioni kanë kërkuar që Komuna e Kumanovës ta rregullojë rrugën, por janë refuzuar. Tani, nga kjo komunë për Portalb.mk thonë se kanë porositur të bëhet dokumentimi i projektit për rrugën, por nuk dhanë asnjë afat konkret se për kur planifikohet në fakt investimi në të.

Rruga “Zona Industriale” në Kumanovë ka shumë gropa dhe është e shkatërruar. Kjo rrugë e cila lidhet me autostradën e Shkupit, frekuentohet nga banorët e Komunës së Kumanovës dhe Komunës së Likovës. Banorët dhe afaristët që punojnë në këtë zonë për Portalb.mk u shprehën të revoltuar duke theksuar se asnjë punë nuk është bërë për këtë copë rruge shumë të rëndësishme. Në dokumentet e siguruara nga Portalb.mk mund të shihet dhe kërkesa për rikonstruim e rrugës që ata kanë dërguar më 10 maj në adresë të Komunës së Kumanovës.

Por, e njejta është refuzuar nga Komuna me arsyetimin se kjo rrugë nuk është pjesë e programit të komunës të vitit 2024 për ndërtim të rrugëve. 

Por, në fakt kjo rrugë nga viti në vit vetëm figuron në planet vjetore të komunës pa asnjë qindarkë të ndarë për të. Banorët janë ankuar për këtë përgjigje të komunës duke e rikujtuar atë për faktin se edhe pse është në program, nuk ndahen para për të, si dhe kanë kërkuar nga ky institucion të shqyrtojnë sërish kërkesën e tyre.

Omer Ebibi pronar i një biznesi në “Zonën Industriale” në Kumanovë thotë se ka mbi tre dekada që nuk është investuar në rrugën në fjalë.

“Kjo rrugë nuk është shtruar prej para lufte, kjo zonë industriale ka nevojë të rregullohet, edhe pse në shumicën e rasteve gropat e mëdha i kemi mbuluar ne vetë. Këtu janë gati mbi 50 – 100 kompani, dhe 80% prej tyre janë shqiptar, dhe përqindja tjetër janë maqedonas. Kjo rrugë është më atraktive dhe ka shumë lëvizje nga të gjitha anët, edhe pse këtë vit i kemi mbledhur mbi 80 nënshkrime dhe kemi deklaruar se duhet të shtrohet kjo rrugë, kemi dërguar kërkesë deri te Komuna e Kumanovës, mirëpo komuna ende nuk merr masa”, tha Ebibi.

Bleon Selmani pronar i një restoranti, kërkon që kjo rrugë të rregullohet sa më shpejtë.

“Rruga në “Zonën Industriale” është një rrugë e cila është pothuajse e pakalueshme për automjetet për shkak të gropave. Kjo rrugë është një ndër rrugët e cila frekuentohet shumë, po ashtu edhe nga banorët e Komunës së Likovës të cilët kalojnë në këtë rrugë për tu lidhur në autostradën e Shkupit. Kjo rrugë duhet të rregullohet sa më shpejtë për arsye se ka lokale, biznese dhe është një rrugë e lënë pas dore, ne hasemi çdo ditë me pengesa gjatë kësaj rruge e cila nuk është e asfaltuar siç duhet”, tha Selmani.

“Kemi vështirësi gjatë lëvizjeve me makina për shkak të rrugës e cila është shumë e dëmtuar, dhe  nga gropat të cilat janë të stërmëdha. Në këtë rrugë ka mbi afër 40 biznese të ndritshme kurse rruga është në gjendje të mjerueshme”, tha Gadaf Alili, pronar i një lokali në atë zonë 

Remzi Ramadani, pronar një restoranti tjetër thotë se aty kalojnë edhe shtetasit e Kosovës, dhe nuk është aspak e hijshme të duket rruga siç është.

“Kjo rrugë e cila mund ka shumë lëvizje dhe lidhet me autostradën Kumanovë-Shkup. Dhe ne kemi shumë pengesa dhe vështirësi gjatë lëvizjeve me vetura. Po ashtu, nga ana tjetër lidhet edhe me kufirin Bellanoc – Stançiq, i cili lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën, dhe mendoj se duhet të rregullohet se është një rrugë kryesore nga të gjitha anët. Mirëpo, edhe pse premtime kemi sa të duash por realizime nuk ka”, tha Ramadani.

Të kontaktuar nga Portalb.mk, nga Komuna e Kumanovës thanë shkurt se “është porositur dokumentacioni i projektit dhe pas përgatitjes të saj, do të bëhet realizimi i projektit varësisht nga mjetet që do të ketë në dispozicion komuna”. Komuna nuk dha më shumë detaje në lidhje me pyetjet tona gazetareske, për të cilat redaksia e Portalbit sërish i ka shkruar kësaj komune.

Rrugë e dëmtuar në zonën industriale në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Rrugë e dëmtuar në zonën industriale në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Gropë në rrugën zona industriale në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Gropë në rrugën zona industriale në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Asfalt i dëmtuar në zonën industriale në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Asfalt i dëmtuar në zonën industriale në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Gropë në mes të rrugës në Zonën Industriale në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Gropë në mes të rrugës në Zonën Industriale në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Rruga e dëmtuar në zonën industriale në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Rruga e dëmtuar në zonën industriale në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk