BDI – Kumanovë: Dënimi për festimin e 28 Nëntorit dhe personat e maskuar krijojnë klimë pasigurie në qytet

Zëdhënësi i Degës së BDI-së në Kumanovë, Blerim Hyseni kërkoi nga institucionet zbardhjen e rastit të personave të maskuar që janë parë në këtë qytet, duke e lidhur këtë zhvillim me dënimin e një të riu shqiptar për festimin e 28 Nëntorit, shkruan Portalb.mk.

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dega në Kumanovë, shprehu shqetësim për zhvillimet e fundit në qytet, të cilat, sipas tyre, po krijojnë klimë pasigurie dhe po dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet bashkësive etnike. Zëdhënësi i degës, Blerim Hyseni, kritikoi dënimin e një të riu shqiptar për festimin e 28 Nëntorit vitin e kaluar, ndërsa kërkoi hetim për personat e maskuar me shkopinj në duar që u panë para dy dite në qendrën e qytetit.

Hyseni vlerësoi si simptomatike që dënimi ndaj të riut është shqiptuar pak ditë para festës së 28 Nëntorit, duke ngritur pikëpyetje për standardet e drejtësisë dhe mesazhin që po përcillet në opinion.

Ai kërkoi nga organet kompetente që rasti i personave të maskuar të zbardhet sa më shpejt, në mënyrë që të shmangen interpretimet dhe keqkuptimet në opinion, ndërsa theksoi se mungesa e transparencës dhe vonesat në reagim mund të krijojnë dilema.

“Ne nuk duam të paragjykojmë, por kërkojmë nga organet kompetente që këto raste t’i hetojnë me seriozitet dhe të veprojnë pa standarde të dyfishta”, deklaroi Hyseni.

Sipas tij, zhvillimet e fundit krijojnë përshtypjen se mund të synohet frikësimi i shqiptarëve për të festuar 28 Nëntorin, megjithëse theksoi se kjo nuk duhet të paragjykohet pa zbardhjen e rasteve nga institucionet.

“Kumanova nuk ka nevojë për tensione, provokime dhe frikësime. Kumanova ka nevojë për drejtësi, siguri dhe respekt të ndërsjellë”, tha Hyseni.

BDI kërkoi nga institucionet që të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe të mos lejojnë, siç e cilësojnë, drejtësi selektive, duke theksuar se 28 Nëntori është festë kombëtare dhe se shqiptarët duhet ta festojnë lirshëm dhe me dinjitet.

“28 Nëntorin do ta festojmë me krenari, pa frikë dhe me dinjitet, ashtu siç ka festuar gjithmonë Kumanova”, përfundoi Hyseni.

Ndryshe, gjatë ditëve të fundit në qytetin e Kumanovës është vërejtur një grup të rinjsh me maska që mbulonin fytyrën dhe me shkopinj druri janë vërejtur duke lëvizur nëpër qendër të qytetit të Kumanovës. Rasti është raportuar në orën 00:12 në Sektorin për Punë të Brendshme (SPB) në Kumanovë, ndërsa policia ka arritur të lokalizojë personat në fjalë dhe t’ua konfiskojë sendet që mbanin me vete.

“Personat janë gjetur, ndërsa sendet u janë konfiskuar. Ata do të thirren në stacionin policor, ku me ta do të zhvillohet një bisedë zyrtare. Pas konsultimit me prokurorin publik, do të parashtrohet kallëzim përkatës”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme. MPB nuk ka bërë të ditur numrin e personave të përfshirë, moshën e tyre apo motivet e lëvizjes me maska dhe shkopinj druri në qendër të qytetit.

Nga ana tjetër, Gjykata Themelore në Kumanovë një javë më parë e dënoi 20 vjeçarin Ardi Saiti me 3 muaj burgim me kusht, pasi më 28 Nëntor 2025, në Ditën e Flamurit Shqiptar, ai ngriti flamurin të  njohur si Authochthonous dhe atë të UÇK-së. Sipas aktgjykimit të datës 09.10.2026, ngjarja ndodhi më 28.11.2025, rreth orës 21:45, në rrugën “Treta MUB” në Kumanovë. Në atë kohë, Saiti ishte ende nxënës i shkollës së mesme, ndërsa sot është student i vitit të parë.

Prokuroria dhe gjykata e kanë vlerësuar këtë veprim si “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, fetar dhe tjetër diskriminues”, vepër e parashikuar në nenin 319, al. 1 të Kodit Penal.

Edhe pse në aktgjykim thuhet se i riu e ka pranuar fajësinë, vendimi për dënimin e tij me burgim me kusht për ekspozimin e flamurit kombëtar gjatë ditës zyrtare të festës ka shkaktuar reagime dhe ka ngritur pikëpyetje për lirinë e shprehjes dhe përdorimin e simboleve kombëtare.